Komisionerja Marta Kos vizitë në Shqipëri: Zgjerimi e bën Evropën më të fortë

Komisionerja Marta Kos vizitë në Shqipëri: Zgjerimi e bën Evropën më të fortë

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian(BE), Marta Kos, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të samitit mbi Planin e Rritjes të BE-së, ndërkohë është takuar me kryeparlamentarin Niko Peleshi, kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, transmeton Anadolu.

Peleshi priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë komisioneren Kos, ndërkohë në fokus të diskutimeve ishin çështjet mbi ecurinë e integrimit evropian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.

“Gjatë takimit, komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës. Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Evropën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE, u shpreh ajo”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu theksohet se Peleshi nënvizoi “angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian”, duke e cilësuar si “prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar”.

“Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, është shprehur Peleshi.

Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë ndër të tjera theksohet se takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët “për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane”.

Kryediplomatja Spiropali e ka konsideruar komisioneren Kos si “miken e Shqipërisë”. “Në vigjilje të Samitit për Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor që mbahet nesër në vendin tonë, mirëprita në Tiranë miken e Shqipërisë, komisioneren për Zgjerimin Marta Kos, gruan që rrezaton energji, përkushtim dhe mbështetje për vlerat, autenticitetin dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, ka shkruar në rrjetet sociale Spiropali.

Në Tiranë do të mbahet nesër samiti mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së do të diskutojnë për planin e rritjes dhe integrimin ekonomik, ndërkohë e pranishme do të jetë edhe komisionerja Kos.

MARKETING