Komandanti i KFOR-it: Beogradi i di vijat e kuqe në Kosovë

Komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, tha se mbyllja e urës në Mitrovicë është politike dhe vendimi për të duhet të merret përmes dialogut në Bruksel.
Gjenerali Barduani në intervistën për RTV21, në fund të mandatit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, flet edhe për zhvillimet e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe angazhimet e forcës paqeruajtëse në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.
Gjeneral Barduani tha se Serbia i ka të qarta “vijat e kuqe” në Kosovë të cilat sipas tij janë të përcaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit ttë OKB-së.
Ai e bëri të qartë se kryesit e sulmit në Banjskë dhe mbi forcat e KFOR-it në 2023 duhet të sillen përpara drejtësisë.
“…fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Edhe gjatë mandatit tim, e di gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë në siguri nga ngërçi aktual në dialog, nuk mund ta përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie”, tha Barduani.
I pyetur se a ia kanë bërë të qartë ushtrisë serbe dhe autoriteteve shtetërore cilat janë vijat e kuqe në Kosovë, gjenerali Barduani tha se po.
“Po. Më lejoni të theksoj se vijat e kuqe që ju përmendni janë ato të përcaktuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me një referencë të veçantë për marrëdhënien mes KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe. Ato janë të shkruara në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar nga NATO dhe Serbia në 1999. Mund të shtoj se misioni ynë mbetet i përqendruar në kontributin për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Kjo është një përparësia kryesore e KFOR-it. Sigurisht, njësitë tona janë të pranishme në terren me objektivin kryesor të parandalojnë çdo rrezik të madh të eskalimit. Por nëse është e nevojshme, jemi gati të reagojmë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në përputhje me mandatin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne kemi dëshmuar në mënyrë të përsëritur se mund të ofrojmë në këtë drejtim.
Forcat e armatosura serbe dhe të gjithë aktorët me të cilët bashkëpunojmë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Vetëm për t’ju ofruar informacione të plota në këtë çështje, bazuar në procedurat ekzistuese që dalin nga marrëveshja teknike ushtarake, Serbia ka detyrimin e qartë të njoftojë përherë KFOR-in për çdo zhvillim të tyre dhe aktivitet operacional pranë vijës kufitare administrative brenda zonës tampon pesë kilometërshe që e quajmë ish-zona e sigurisë tokësore. Kjo ndihmon të parandalohet keqkuptimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Në përgjithësi, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive dhe jam i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit profesional që KFOR-i ka zhvilluar në këtë drejtim”, tha ai.