Kolonët izraelitë të udhëhequr nga ministri ekstremist Ben-Gvir futen në Xhaminë Al-Aksa

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, udhëhoqi sot herët në mëngjes një grup të madh kolonësh të paligjshëm në një marshim provokues dhe një hyrje masive në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke përkuar me përkujtimin hebre “Tisha B’Av”, raporton Anadolu.
Sipas Autoritetit të Vakëfeve Islame të Kudsit, të paktën 1.251 kolonë të paligjshëm izraelitë bastisën kompleksin e xhamisë në orët e mëngjesit, duke kryer rituale talmudike, duke kënduar dhe duke vallëzuar nën mbrojtje të rëndë policore.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe deputeti i Partisë Likud, Amit Halevi, i cili iu bashkua Ben-Gvirit në atë që zyrtarët palestinezë e quajtën “përshkallëzim i paprecedentë i nxitjes politike dhe fetare”, tha agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Guvernorati i Kudsit paralajmëroi për seriozitetin e kësaj hyrjeje të organizuar në shkallë të gjerë, duke e quajtur atë një “shkelje sistematike” të shenjtërisë së Xhamisë Al-Aksa dhe të drejtave të besimtarëve myslimanë.
Gjatë bastisjes janë regjistruar sulme ndaj besimtarëve myslimanë, gazetarëve dhe rojeve të Al-Aksasë.
Në një deklaratë nga brenda kompleksit, Ben-Gvir tha se “Mali i Tempullit është për hebrenjtë dhe ne do të mbetemi këtu përgjithmonë”, duke shkaktuar dënime të gjera.
Kjo hyrje ndodhi disa orë pasi Ben-Gvir udhëhoqi një tjetër marshim kolonësh të paligjshëm nëpër Qytetin e Vjetër të Kudsit pas mesnate.
Ngjarjet u organizuan nga grupet ekstremiste “Mali i Tempullit”, të cilat kishin bërë thirrje për hyrje masive në Xhaminë Al-Aksa të dielën për të shënuar Tisha B’Avin, të cilën ata e quajnë “përvjetori i shkatërrimit të Tempullit”.
Guvernorati i Kudsit e përshkroi këtë Tisha B’Av si një nga ditët më të rrezikshme për Al-Aksanë, duke përmendur planet e grupeve për ta caktuar 3 gushtin si “ditën më të madhe të inkursioneve”.
Deklarata shtoi se përputhja e plotë e qeverisë izraelite me grupet e kolonëve të paligjshëm po i inkurajon përpjekjet për të ndryshuar statusin fetar dhe ligjor të xhamisë.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty kanë qenë dy tempuj hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai e aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.