Kolera merr jetën e 12 personave në Mozambik brenda 24 orëve
Mozambiku ka regjistruar 12 vdekje nga kolera gjatë 24 orëve të fundit, si dhe 135 raste të reja, transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetit Publik, që nga fillimi i shpërthimit aktual në shtator të vitit të kaluar, rastet e reja janë rritur ndjeshëm në provincat Tete, Nampula dhe Cabo Delgado, ku janë regjistruar edhe 12 vdekjet.
Provinca Tete, në rajonin qendror të vendit të Afrikës Juglindore, është shndërruar në epiqendrën e shpërthimit, me numrin e viktimave që është dyfishuar ditët e fundit dhe me 87 pacientë të rinj të regjistruar brenda 24 orëve.
Vetëm më 28 janar, Mozambiku regjistroi 135 raste të reja, me 49 pacientë të shtruar në spital.
Në vitin 2025, 169 persona kanë humbur jetën nga kolera në vend, gjë që e nxiti qeverinë të hartojë një plan më 16 shtator të vitit të kaluar, me synimin për ta eliminuar kolerën si “problem të shëndetit publik” deri në vitin 2030.
Zëdhënësi i kabinetit, Innocencio Impissa, së fundmi u tha gazetarëve se “qëllimi është që Mozambiku të jetë i lirë nga kolera si problem i shëndetit publik deri në vitin 2030, ku komunitetet do të kenë qasje në ujë të sigurt, kanalizime dhe kujdes shëndetësor cilësor, të arritur përmes veprimeve shumë-sektoriale të koordinuara dhe të bazuara në prova shkencore”.
Mozambiku po përballet gjithashtu me përmbytje të rënda, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe kanë zhvendosur miliona njerëz pas javësh reshjesh të dendura shiu.

