Kishte dëshmuar edhe në Hagë – zjarrfikësi amerikan zbuloi detaje për snajper-turistët në Sarajevë
Rrëfimi për evropianët e pasur që gjatë rrethimit të Sarajevës i paguanin palës serbe që, për argëtim, të qëllonin me snajper mbi civilët, ka dalë sërish në qendër të vëmendjes së mediave botërore.
Këtë temë e ka aktualizuar prokuroria në Milano, e cila ka hapur hetime kundër disa shtetasve italianë të dyshuar se për shuma të mëdha parash blinin mundësinë për të vrarë në qytetin e rrethuar.
Kjo temë, e njohur si “safari snajperësh”, nuk është e re. Është trajtuar në filmin “Sarajevo Safari” të Miran Zupaniqit, por edhe në romanin dokumentar “Vedran dhe zjarrfikësit” të Haris Imamoviqit. Në atë libër për turistët snajperist flet John Jordan, zjarrfikësi amerikan që gjatë luftës erdhi të ndihmonte kolegët e tij sarajevas. Imamoviq në roman ka përfshirë edhe pjesë nga dëshmia tronditëse e Jordanit në Gjykatën e Hagës.
I nxitur nga raportimet mediatike për agresionin ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Jordani mbërriti në Sarajevë për t’u ndihmuar zjarrfikësve të qytetit të kryenin punën e tyre në kushtet e pamundura të rrethimit. Gjatë një ndërhyrjeje në vitin 1994 ai vetë u plagos.
Dëshmia e tij për “turistët snajperist” u dha më 21 dhe 22 shkurt 2007, kur në procesin kundër gjeneralit të VRS Dragomiq Milosheviq u mor në pyetje nga prokuroria dhe mbrojtja, shkruan Avaz.ba.
Nuk i ngjanin popullsisë lokale
Avokatja e të dënuarit për krime lufte, Dragomir Milosheviq, Branislava Isailoviq, e pyeti Jordanin se nga i kishte informacionet për “turistët” që paguanin për të qëlluar mbi qytet.
“Kam parë disa herë fytyra që nuk i ngjanin popullsisë lokale, sipas mënyrës së veshjes dhe armëve që mbanin, sipas mënyrës si silleshin, duke lëvizur bashkë me vendasit. Këtë e kam parë në Sarajevë shumë herë. Disa nga njerëzit e mi e kanë vërejtur edhe në Mostar”, u përgjigj Jordan.
Kur avokatja nguli këmbë duke pyetur nëse vërtet mund t’i dallonte vizualisht të huajt nga vendasit, Jordan tha po.
“Mund të supozoni nga deklarata ime se jam vëzhgues i trajnuar dhe mund të dalloj kur dikush që qartazi nuk është i lidhur me mjedisin ku lëviz, shoqërohet përreth, fjalë për fjalë i tërhequr për dore, nga njerëz që e njohin shumë mirë zonën. Prej këtu doli edhe termi ‘snajper-turist’. Këta tipa thjesht nuk ishin nga vendi, as mbanin armë që ishin të zakonshme për atë zonë”, tha ai.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ka parë ndonjërin prej tyre të qëllonte, Jordan pranoi se “nuk kam parë kurrë t’i lëshonin plumbat. Vetëm i kam parë teksa i çonin në pozicione të njohura snajperësh. Por, përsëri, ishte e qartë se për çfarë bëhej fjalë: dikë nga jashtë e shëtisnin nëpër pozicionet e snajperëve nga njerëz vendas; mënyra e veshjes dhe fakti që mbanin armë më bëri të besoj se bëhej fjalë për ‘snajper-turistë’. Ky është një shprehje që e kam dëgjuar për herë të parë në Bejrut, ku pamë të njëjtën gjë në vijën e frontit”.
I pyetur se si ishin veshur, ai i përshkroi në bazë të armëve.
“Mbanin një kombinim të veshjes civile dhe asaj ushtarake, por kryesisht i identifikonim nga armët… vendasit mbanin një lloj të caktuar pushke, dhe kur shfaqej një tip me një pushkë si ato për të dalë në Schwarzwald për të gjuajtur arinj, e jo për luftime rrugësh në Ballkan, e kupton menjëherë për çfarë bëhet fjalë. Kur e shihje si e shoqëronin, e kuptoje se ishte i sapoardhur që ecte si në teren të thyer. E dini, siç thonë, nëse ecën si rosë dhe flet si rosë – atëherë është rosë.”
Ai konfirmoi se persona të tillë kishte parë në zona nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës Serbe.
“Disa herë kam parë tipa që përputheshin me përshkrimin e mësipërm kur vizitoja zjarrfikësit serbë në Grbavica, si edhe në disa raste të tjera. I kam parë në zona të ndryshme nën kontrollin e VRS, nga disa pozicione vëzhgimi prej nga mbikëqyrja punën e zjarrfikësve të mi”, përfundoi Jordan.
Goditja në shpirtin e familjes
Jordan dëshmoi për krimet në Sarajevë edhe në vitin 2012, në gjyqin e kriminelit, Ratko Mladiq.
Atëherë, duke iu përgjigjur pyetjeve për mënyrën se si snajperistët zgjidhnin viktimat, dha një analizë më të thellë të luftës psikologjike dhe të njohjes së kulturës lokale. I pyetur pse në deklaratat e tij kishte thënë se snajperistët në një familje synonin gjithmonë anëtarin më të ri, ndërsa në një grup vajzash më të bukurën, Jordan shpjegoi logjikën brutale të shkatërrimit.
“Zoti e di, zonjë. Sa i përket vrasjes së fëmijëve, kemi pasur shumë raste kur nga e gjithë familja ishte vrarë vetëm një anëtar, dhe shpesh ai ishte më i riu. Ajo që mëson në trajnim për snajper është se vrasja nuk është domosdoshmërisht rezultati i vetëm i aksionit: shkatërrimi është rezultati përfundimtar. Kur e vret dikë, mbaron. Kur e plagos, katër të tjerë duhet ta mbajnë. Kur synon civilët, sidomos familjet që mund të mos kenë qenë as myslimane, nëse godet një fëmijë – e ke gjymtuar menjëherë të gjithë familjen”, deklaroi Jordan.
“Në familjet tradicionale myslimane, të cilat ishin në Sarajevë, kur nga askund vjen një plumb dhe ta vret djalin, kjo ka pasoja shkatërruese për familjen”, vazhdoi ai.
“Një nga fyerjet më të rënda në Sarajevë është kur të thonë se ‘nuk je njeri’. Kur dikush të vret fëmijën – edhe nëse e bën nga 800 metra larg – dhe ti nuk e ke mbrojtur familjen, atëherë ti nuk je njeri. Mjafton një a një plumb për të shkatërruar një familje. Të gjithë preken prej tij”, shtoi ai
Dëshmia e tij tregoi jo vetëm se ai e kishte njohur mirë kulturën dhe mentalitetin e sarajevasve, por edhe se, fatkeqësisht, ata që e mbanin qytetin nën rrethim e njihnin po aq mirë, duke i këshilluar “turistët” të qëllonin aty ku dhembtë më shumë – në shpirtin e familjes. /Telegrafi/

