Kina ndërton komandën ushtarake 10 herë më të madhe se Pentagoni
Kina po ndërton një qendër të re komanduese ushtarake pranë Pekinit, e cila do të jetë më gjigantja në botë dhe 10 herë më e madhe se Pentagoni, thanë zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane për ”Financial Times”, siç raporton ”Telegraph”.
Imazhet satelitore të bazës, rreth 32 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit kinez, tregojnë një kantier ndërtimi me përmasa më shumë se gjashtë kilometra katrorë që ekspertët thonë se mund të strehojë bunkerë të përforcuar ushtarakë për të mbrojtur udhëheqësit ushtarakë të vendit në rast të një lufte bërthamore.
Pasi të përfundojë, struktura, e quajtur “Qyteti Ushtarak i Pekinit”, pritet ta zbehë pamjen e Pentagonit, selinë e mbrojtjes së SHBA-së, e njohur si ndërtesa më e madhe e zyrave në botë.
Imazhet, të marra nga ”Financial Times”, sugjerojnë se ndërtimi kryesor i projektit filloi në mesin e vitit 2024, ndërsa Ushtria Çlirimtare Popullore përgatitet për 100-vjetorin e saj, në 2027.
Presidenti Xi ka paralajmëruar vazhdimisht se ai synon të aneksojë Tajvanin në këtë datë duke paraqitur një kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështeten te Tajpei për furnizimet me mikroçipe.
Pavarësisht se punimet e ndërtimit ecin me ritme të shpejta, nuk ka asnjë përmendje zyrtare të bazës në faqet kineze të internetit.
Asnjë personel ushtarak nuk është i dukshëm në vend, por qasja në objekt është rreptësisht e ndaluar dhe shenjat jashtë objektit paralajmërojnë kundër fluturimit të dronëve ose fotografimit.
Shtigjet e njohura të ecjes aty pranë janë gjithashtu të ndaluara.
Një studiues kinez që kishte parë imazhet tha se vendi kishte “të gjitha shenjat dalluese të një objekti të ndjeshëm ushtarak”, me tunelet e tij të thella nëntokësore dhe me betonin e armuar.
”Pothuajse 10 herë më e madhe se Pentagoni, është e përshtatshme që ambiciet e Xi Jinping të kalojnë ato të Shteteve të Bashkuara”, tha studiuesi Dennis Wilder, ish-analist i CIA-s për Kinën.
Vlerësimet e Pentagonit sugjerojnë se Kina do të ketë 1 500 armë bërthamore operacionale deri në vitin 2035, e barabartë me fuqinë e zjarrit të Shteteve të Bashkuara.