Khan Younis në Gaza përballet me krizën mjedisore dhe shëndetësore, ndërsa grumbullohen mbeturinat

Khan Younis në Gaza përballet me krizën mjedisore dhe shëndetësore, ndërsa grumbullohen mbeturinat

Shërbimet thelbësore komunale në qytetin Khan Younis pothuajse janë ndalur, duke çuar në grumbullime të rrezikshme mbeturinash dhe një katastrofë shëndetësore për banorët e zhvendosur, njoftuan të hënën autoritetet lokale, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i Bashkisë së Khan Younisit, Saib Luqan deklaroi se mbi 350 mijë tonë mbeturina janë grumbulluar tani në rrugë dhe pranë kampeve të të zhvendosurve. Ai ia atribuoi krizën e shkatërrimit të automjeteve të shërbimit dhe të infrastrukturës si dhe pamundësisë për të hyrë në landfillin kryesor për shkak të pranisë së forcave ushtarake izraelite.

“Khan Younisi është në prag të një katastrofe mjedisore dhe shëndetësore”, tha Luqan. Ai raportoi shkatërrimin e përhapur të rrjeteve të kanalizimeve, duke çuar në tejmbushje të ujërave të zeza në zonat e banuara.

Familjet e zhvendosura në zonën Al-Mawasi përshkruan se jetojnë në kushte të padurueshme. “Po vuajmë nga të gjitha këto mbeturina. Mushkonjat po na hanë dhe fëmijët po sëmuren”, tha Umm Tariq Al-Arja për Anadolu, duke shtuar se ilaçet nuk janë të disponueshme.

Kriza komunale përkeqëson një situatë humanitare tashmë të rëndë. Organizatat mjekësore raportojnë rritje të sëmundjeve të lidhura drejtpërdrejt me mbipopullimin, kanalizimet e dobëta dhe kolapsin e sistemeve të ujit në të gjithë Gazën jugore.

Luqan bëri thirrje për ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të adresuar emergjencën dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm, duke vënë në dukje se më shumë se 900 mijë persona dhe banorë të zhvendosur janë të përqendruar në zonat perëndimore të guvernatoriatit.

Të dhënat mjekësore nga viti 2025 të mbledhura nga organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) tregojnë se 70 për qind e konsultave ambulatore në klinikat e tyre në jug të Gazës janë për gjendje të lidhura drejtpërdrejt me kushtet e këqija të jetesës, përfshirë infeksionet e lëkurës, syve, të frymëmarrjes dhe gastrointestinale.

MSF-ja raporton rritje të sëmundjeve të transmetuara nga uji që nga prilli 2025, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me kolapsin e sistemit të ujit dhe kanalizimeve të Gazës, një rezultat, siç thonë ata, i shkatërrimit të synuar dhe bllokimeve të materialeve të rindërtimit.

MARKETING