KFOR: Kemi shtuar praninë në komunat veriore, palët të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione

KFOR: Kemi shtuar praninë në komunat veriore, palët të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve të fundit atje, ku serbët lokalë kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.
KFOR ka kërkuar nga palët të mos nxisin tensione, duke njoftuar se do të vazhdojnë të krijojnë mjedis të sigurt për qytetarë, transmeton Telegrafi.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë. Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurtdhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim”, njofton KFOR.
Tutje, në komunikatë thuhet se, në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të paanshëm.

“KFOR-i i kërkon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”.
Ndryshe, sot serbët në veri janë duke protestuar para objekteve komunale, ku në mëngjes disa protestues kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në komunën e Zveçanit, me ç’rast ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke i ndaluar ata.

“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveçanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas zhvillimeve të fundit atje, ambasadori amerikan në Kosovë ka thirrur në takim kryetarët e rinj shqiptar të komunave veriore.

MARKETING