Këshilltari presidencial i Polonisë: Trump ka fyer të gjithë katolikët me sulmet ndaj Papës
Slawomir Cenckiewicz, kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare dhe një nga këshilltarët më të afërt të presidentit polak, Karol Nawrocki, ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump, se ka “fyer të gjithë katolikët” pas sulmeve të tij ndaj Papës Leoni në rrjetet sociale dhe publikimit të një imazhi ku ai shfaqej si Jezusi, transmeton Anadolu.
Cenckiewicz, këshilltari i presidentit polak, i cili është një nga aleatët më të afërt të presidentit amerikan në Evropë, shkroi në rrjetin social amerikan X se deklaratat e Trumpit “kalojnë të gjitha normat”.
“Postimi i presidentit Trump dhe grafika e bashkëngjitur në lidhje me Shenjtërinë e Tij, Papën Leoni XIV, kalon të gjitha normat dhe është një fyerje ndaj Vikarit të Krishtit dhe rrjedhimisht ndaj të gjithë katolikëve”, shkroi Cenckiewicz.
Kritika e pazakontë tregon tensione në rritje mes Trumpit dhe disa aleatëve të tij konservator në Poloni, pavarësisht se presidenti Nawrocki ka ndërtuar lidhje të forta me presidentin amerikan që nga marrja e detyrës vitin e kaluar.
Nawrocki, i mbështetur nga opozita nacional-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka bërë fushatë si aleat i Trumpit dhe ka vizituar Shtëpinë e Bardhë menjëherë pas zgjedhjes së tij. Trump shprehu publikisht mbështetje për të gjatë garës presidenciale dhe të dy kanë pasur qëndrime të ngjashme për migracionin, sovranitetin kombëtar dhe kundërshtimin e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.
Përplasja nisi pasi Trump kritikoi Papën Leoni në platformën e tij Truth Social, duke e akuzuar për “dobësi ndaj krimit dhe politikë të jashtme të dobët” pas kritikave papnore ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-së. Trump gjithashtu sugjeroi se zgjedhja e Leonit si Papë ishte ndikuar nga presidenca e tij.
Më herët, Papa ka kritikuar sulmet amerikane ndaj Iranit dhe retorikën e Trumpit ndaj vendeve të tjera, duke vazhduar linjën e Vatikanit kundër përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Këshilltari Cenckiewicz është një nga anëtarët më besnikë të rrethit të brendshëm të presidentit Nawrocki dhe shpesh ka mbajtur qëndrime pro-Trumpit. Kritika e tij sugjeron se për shumë në të djathtën polake, identiteti katolik vendos kufij ndaj besnikërisë politike ndaj Trumpit.
Ngjarja gjithashtu zbulon një ndarje brenda kampit konservator në Poloni. PiS dhe Nawrocki janë modeluar gjithnjë e më shumë sipas politikës së stilit të Trumpit dhe kanë kërkuar lidhje më të ngushta me administratën e tij. Por Polonia mbetet një nga vendet më katolike të Evropës dhe kritika ndaj Papës është politikisht e ndjeshme edhe për shumë votues të djathtë.
Vetë Nawrocki nuk ka komentuar publikisht mbi deklaratat e Trumpit. Megjithatë, ai më parë ka mbrojtur Trumpin edhe gjatë mosmarrëveshjeve me qeverinë polake.
Mospajtimi vjen në mes të një përplasjeje më të gjerë politike mes presidentit Nawrocki dhe qeverisë së kryeministrit Donald Tusk mbi gjykatat dhe marrëdhëniet e Polonisë me BE-në.

