Këshilltarët e Trumpit do të nxisin planin e rishikuar të paqes me Putinin

Këshilltarët e Trumpit do të nxisin planin e rishikuar të paqes me Putinin

Këshilltarët presidencial amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner filluan bisedimet në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, me një raport të mediave amerikane që pretendon se Washingtoni po bën përpjekje për të siguruar mbështetje për planin e tij të përditësuar të paqes me 19 pika për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Takimi, me pjesëmarrjen e parë të Kushnerit në bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, vjen pas dy javësh të diplomacisë intensive që përfshinte dy raunde negociatash midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase.

Dy burime të cituara nga Axios thanë se Witkoff dhe Kushner pritet që nesër në Evropë të informojnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në lidhje me bisedimet në Kremlin.

Plani amerikan, fillimisht me 28 pika, u reduktua gjatë diskutimeve të fundit me Kievin, duke u përqendruar kryesisht në përcaktimin e një kufiri ‘de facto’ sipas një armëpushimi të mundshëm.

Putin më herët ka thënë se propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, mund të shërbejë si bazë për negociata, megjithëse ngurroi të tërhiqet nga kërkesat e hershme të Rusisë, duke përfshirë kontrollin mbi të gjithë rajonin e Donbasit.

Thuhet se SHBA-ja i ka kërkuar Ukrainës të lëshojë territor atje për ta çuar përpara procesin, një lëshim i përshkruar politikisht i dhimbshëm për Kievin.

Gjatë bisedimeve të fundjavës në Florida, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit ukrainas, Rustem Umerov, u takua me të dërguarit amerikanë Witkoff dhe Kushner, si dhe me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ku pala ukrainase informoi Ëashingtonin mbi realitetet e fushëbetejës.

Më vonë, Zelenskyy tha se propozimi me 19 pika ishte “rishikuar më tej” pas këtyre diskutimeve.

Sipas Axios, Witfkoff gjithashtu zhvilloi takime shtesë me Umerovin të dielën në mbrëmje dhe të hënën në mëngjes para se të udhëtojë për në Moskë.

MARKETING