Kërkohet paraburgim për shoferin nga Shkupi, do të bëhet autopsia e 3 kosovarëve që vdiqën në Lepenc
Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar nga Gjykata Penale në Shkup që të shqiptojë masën e paraburgimit ndaj shoferit 64-vjeçar B.B. nga Shkupi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e djeshëm në rrugën Shkup-Bllacë, ku si pasojë vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, ndërsa sot nga ujërat u nxor automjeti me 3 viktima. Nga Prokuroria thonë se do të urdhërohet edhe autopsi për 3 viktimat në mënyrë që të zbardhet rasti.
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka vazhduar kontrollin në vendin e aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë. Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenec, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes. Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është mbajtur pas aksidentit të djeshëm.
Bëhet fjalë për një 64-vjeçar, banor i Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura kosovare. Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje”, thonë nga Prokuroria.