Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Përfaqësuesi i familjes së rreshterit që mbeti i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit- Afrim Bunjaku, avokati Arianit Koci, në fjalën hyrëse tha se sulmi ishte akt qyqar që kishte synim jo vetëm jetën e njeriut, por edhe zhbërjen e shtetit tonë. Kërkoi që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.

“Pamë gjithçka, kushdo që i ka parë këto prova është tmerru dhe është bind që është kryer një akt terrorist. Është një thirrje për drejtësi, përballë një akti terrorist, akt qyqtar që nuk ka synuar vetëm jetën e njeriut, por edhe zhbërjen e shtetit tonë”, tha Koci, duke shtuar se e mbështet fjalën e prokurorit Naim Abazi.
Ai tha se tani i ndjeri Bunjaku nuk u tërhoq dhe nuk u dorëzua, por u vra. Tha se sulmi ishte i qartë, të ndahet veriu i Kosovës dhe t’i bashkohet Serbisë.

Avokati Koci kërkoi që të vendoset drejtësia në këtë rast dhe që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm. Në fund, tha se paraqesin kërkesë pasurore-juridike dhe i bashkëngjiten ndjekjes penale.
Kurse, përfaqësuesi i të dëmtuarit Alban Rashiti, avokati Naim Rudari, tha se mbështesin fjalën hyrëse të prokurorit.

“Provat janë nxjerrë edhe nga të akuzuarit prezent, e një pjesë e tyre që ikën maleve, duke lënë dhe harruar gjurmët e tyre që ishin përgatitur thuajse një vit më parë për sulmin më të rëndë të pasluftës, i organizuar nga pjesa aktive nga kryeterroristi Milan Radoiciq, përkrahur politikisht, për të cenuar rendin kushtetuese dhe juridik të Republikës së Kosovës”, tha Rudari.
Kurse, i dëmtuari Sedar Dushi, tha se përkrah fjalën hyrëse të prokurorit, duke shtuar se iu mungon kolegu- Afrim Bunjaku, i cili pardje e kishte ditëlindjen./“Betimi për Drejtësi“

MARKETING