Kërcënime raciste u dërgohen xhamive në Gjermani

Kërcënime raciste u dërgohen xhamive në Gjermani

Tre xhami në Gjermani ditët e fundit kanë marrë pako dhe letra që përmbanin kërcënime raciste kundër muslimanëve, transmeton Anadolu.

Grupi turko-musliman DITIB, i cili drejton tre xhamitë në Gjermaninë veriperëndimore, dënoi incidentin dhe u bëri thirrje autoriteteve të marrin masa kundër islamofobisë.

“Këto akte të neveritshme na kanë pikëlluar thellësisht neve dhe fqinjët tanë”, thanë në një deklaratë të përbashkët krerët e shoqatave të xhamive DITIB në Bochum, Castrop-Rauxel dhe Recklinghausen.

“Ne jemi të shqetësuar. Vazhdimi i sulmeve të ngjashme do të shkaktojë shqetësime serioze në shoqëri. Autori ose autorët duhet të kapen dhe të sillen para drejtësisë sa më parë”, thanë ata.

Pakot e dërguara në xhamitë në tre qytetet gjermane përmbanin mesazhe raciste, faqe të djegura të Kuranit, mish derri dhe jashtëqitje.

Vitet e fundit, Gjermania po përballet me një rritje të racizmit dhe dhunës anti-muslimane, të ushqyer nga propaganda e partive dhe lëvizjeve politike të ekstremit të djathtë.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, policia regjistroi 258 krime islamofobike, përfshirë sulme në xhami, raste të lëndimeve trupore dhe letra kërcënuese.

Gjermania, vend me më shumë se 84 milionë banorë, ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, ajo është shtëpi e mbi 5 milionë muslimanëve.

MARKETING