Katër të vrarë, 24 të plagosur nga një sulm rus me dronë në Ukrainë

Një sulm rus me dronë në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, natën e 28 marsit, vrau katër njerëz dhe shkaktoi një zjarr të madh në një kompleks hotelesh dhe restorantesh, si dhe dëmtoi shtëpi banimi, tha guvernatori rajonal.
“Sipas informacioneve që kemi për momentin, katër njerëz u vranë në Dnipro”, tha në Telegram Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk.
Forcat ruse përdorën më shumë se 20 dronë në sulmin ndaj Dnipros, ku gjithashtu u plagosën 24 njerëz si pasojë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një grua shtatzënë ishte në mesin e të plagosurve.
“Rusia tallet me përpjekjet globale për paqe, duke e zgjatur luftën dhe duke kryer akte terrori sepse ende nuk ndien trysni të vërtetë”, tha Zelensky në një postim në X më 29 mars.
Lysak tha se një ndërtesë e lartë banimi dhe gati 10 shtëpi private u përfshinë nga zjarri. Zjarri në kompleksin e hotelit është vënë nën kontroll, shtoi ai.