Kancelari Merz mirëpret planin e ri të Trumpit për të dërguar armë në Ukrainë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz përshëndeti njoftimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se SHBA-ja do t’i sigurojë Ukrainës armë të reja, transmeton Anadolu.
“Presidenti Trump ka ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme sot: SHBA-ja do t’i sigurojnë Ukrainës armë në shkallë të gjerë nëse partnerët evropianë e financojnë këtë”, tha Merz në një deklaratë të hënën.
Merz tha se ai dhe Trump e kishin diskutuar këtë qasje të re disa herë ditët e fundit dhe theksoi se Gjermania do të merrte një “rol vendimtar” në këtë iniciativë.
“Ne (evropianët) po e bëjmë këtë në interesin tonë. Kjo do ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër terrorit bombardues të Rusisë. Vetëm në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi Moskën për të negociuar më në fund paqen”, tha Merz.
“Në fund të fundit, ne po tregojmë se ne, si partnerë sigurie, po bashkohemi. Tani do t’i sqarojmë shpejt detajet. Jemi në kontakt me partnerët tanë për këtë qëllim”, shtoi ai.
Në një takim të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjimin me Rusinë në lidhje me mungesën e përparimit në përpjekjet për paqe në Ukrainë.
Trump kërcënoi të vendosë tarifa 100 për qind ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh. Ai gjithashtu njoftoi një marrëveshje të re ku SHBA-ja do të prodhojë dhe furnizojë armë Ukrainës përmes NATO-s, me aleatët evropianë që do të mbajnë koston e plotë.
“Ne arritëm një marrëveshje sot… Do t’u dërgojmë atyre armë që ata do të paguajnë. SHBA-ja nuk do të marrë asnjë pagesë. Ne nuk do ta blejmë, por ne do ta prodhojmë atë, dhe ata do të paguajnë për të,” tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi marrëveshjen, duke thënë: “SHBA-ja ka vendosur ta furnizojë masivisht Ukrainën me atë që është e nevojshme përmes NATO-s. Evropianët po paguajnë 100 për qind për këtë”.