Kancelari gjerman, Merz: Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese

Kancelari gjerman, Merz: Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se partneriteti midis SHBA-së dhe Evropës po ndryshon, që do të thotë se ato duhet të mbrojnë interesat e tyre më fort, transmeton Anadolu.

Kancelari Merz publikoi një video-mesazh me rastin e Vitit të Ri.

“Partneriteti ynë me SHBA-në, e cila ka qenë prej kohësh garantues i besueshëm i sigurisë sonë, po ndryshon gjithashtu. Për ne evropianët, kjo do të thotë se ne duhet të mbrojmë interesat tona edhe më fort me forcën tonë”, tha Merz në mesazhin e tij.

Ai theksoi se në Evropë po vazhdon një luftë e tmerrshme. “Kjo luftë kërcënon drejtpërdrejt lirinë dhe sigurinë tonë. Ekonomia jonë është nën presion për shkak të reformave të nevojshme, kostove të larta dhe konflikteve globale tregtare. Gjithashtu teknologjitë e reja po ndryshojnë rrënjësisht jetën tonë të punës dhe mënyrën se si jetojmë së bashku”, shtoi Merz.

Sipas tij, lufta Rusi-Ukrainë i prek drejtpërdrejt edhe ata. “Po shohim gjithnjë e më qartë se agresioni i Rusisë ishte dhe është ende pjesë e një plani kundër të gjithë Evropës. Gjermania është gjithashtu subjekt i sabotimit, spiunazhit dhe sulmeve kibernetike çdo ditë”, tha kancelari gjerman.

Merz potencoi rikthimin e proteksionizmit në ekonominë globale.

“Varësia jonë strategjike nga lëndët e para po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet presioni politik që është kundër interesave tona. Këto ndryshime gjeopolitike ndikojnë shumë në prosperitetin tonë dhe ne e ndiejmë këtë si një vend eksportues. Në këtë situatë, ne kemi nevojë për kreativitetin dhe produktivitetin e ekonomisë sonë. Megjithatë, vonesa në reformat e brendshme po dëmton potencialin e kompanive tona. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për to të mbijetojnë në konkurrencën ndërkombëtare”, tha ai.

Merz shtoi se shoqëria gjermane po plaket dhe kjo sjell me vete sfida sociale.

Ai tha se kapërcimi i çdo sfide është në duart e tyre dhe se ato nuk janë lodër për fuqitë e mëdha. “Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese. Duam të rrisim fuqinë tonë mbrojtëse në mënyrë që të mos na duhet të mbrohemi”, u shpreh Merz.

Sipas tij, Gjermania dhe Evropa morën vendime të rëndësishme për të ulur migracionin e parregullt. “Ne po vendosim përsëri vetë se kush hyn në vendin tonë dhe kush detyrohet të largohet. Ne kemi krijuar stimuj të rinj për migrimin e ligjshëm dhe të rregullt dhe në të njëjtën kohë kemi mbyllur rrugët për migrimin e paligjshëm dhe të parregullt. Për ne, njerëzimi dhe rendi janë dy anët e së njëjtës medalje”, tha Merz.

MARKETING