Kancelari gjerman javën e ardhshme takon presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, javën e ardhshme do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.
Zv/zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, njoftoi se Merz dhe Trump pritet të zhvillojnë bisedime në Zyrën Ovale në mëngjesin e 3 marsit, të ndjekura nga një drekë pune.
Hille tha se diskutimet midis kancelarit Merz dhe presidentit Trump do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë, tregtinë dhe konkurrencën. Sipas deklaratës, në agjendë do të përfshihet gjithashtu lufta Rusi-Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme.
Vizita e ardhshme shënon takimin e dytë Merz-Trump që nga marrja e detyrës së kancelarit gjerman. Takimi i tyre i parë në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua në qershor të vitit 2025, menjëherë pasi Merz mori detyrën.

