Kancelari gjerman: Asetet e ngrira ruse duhet t’i sjellin dobi Ukrainës, jo SHBA-së

Kancelari gjerman: Asetet e ngrira ruse duhet t’i sjellin dobi Ukrainës, jo SHBA-së

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se asetet ruse të ngrira në Evropë duhet të përdoren për të forcuar kapacitetet ushtarake të Ukrainës dhe jo për të përfituar SHBA-ja, raporton Anadolu.

Përdorimi i aseteve të ngrira ruse është “edhe për të ndihmuar Ukrainën, ndoshta për dy deri në tre vjet. Tani duhet ta kalojmë dimrin në Ukrainë. Për këtë, na duhen burime (financiare). Por na duhen edhe burime për të mbështetur potencialisht Ukrainën në këtë luftë të tmerrshme për një periudhë më të gjatë kohore”, tha Merz para gazetarëve në Berlin.

“Kjo është një çështje evropiane dhe unë nuk shoh, ekonomikisht, asnjë mënyrë që paratë që mobilizojmë të shkojnë drejt SHBA-së në çfarëdo forme. Dhe qeveria amerikane e di këtë. Kjo është pozita negociuese e qeverisë federale (gjermane) … dhe kjo është gjithashtu konsensusi në nivel evropian. Nuk ka asnjë mospajtim sa i përket kësaj pike. Këto para duhet të shkojnë në Ukrainë dhe ta ndihmojnë Ukrainën”, shtoi ai.

Merz reagoi ndaj sugjerimeve të presidentit amerikan Donald Trump se miliarda euro në asete ruse të ngrira në vendet evropiane mund të përdoren për përfitim të qeverisë dhe kompanive amerikane.

Propozimi i kancelarit, i paraqitur për herë të parë në shtator, parashikon t’i sigurohet Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, e mbështetur nga asetet e ngrira ruse. Sipas Berlinit, plani synon të forcojë kapacitetet ushtarake të Kievit dhe ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave.

MARKETING