Kamionët egjiptianë me ndihma do të hyjnë në Gaza nëpërmjet pikës kufitare Kerem Shalom

Kanali Al-Qahera News njoftoi se kamionët egjiptianë me ndihma të rreshtuar pranë pikës kufitare të Rafah do të hyjnë në Gaza nëpërmjet pikës kufitare Kerem Shalom të kontrolluar nga Izraeli për të dytën ditë radhazi.
Kamionët që transportojnë furnizime humanitare jetësore po presin të vazhdojnë drejt Kerem Shalom, ku do të shkarkojnë ngarkesën e tyre për shpërndarje brenda Rripit të rrethuar. “Kamionët janë të ngarkuar me sasi të mëdha mielli, malli më i rrallë në Gaza si dhe pajisje për riparimin e infrastrukturës”, tha Al-Qahera News.
Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, e cila ka mbajtur një prani të vazhdueshme në qytetin kufitar Arish, vazhdon të koordinojë dhe lehtësojë shpërndarjen e ndihmës nga Egjipti dhe donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Karvani i fundit, i organizuar nga Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, “përfshin mbi 100 kamionë që transportojnë më shumë se 1.200 ton ndihma ushqimore, përfshirë afërsisht 840 tonë miell dhe 450 tonë pako ushqimore të ndryshme”.
Kanali raportoi se që nga fillimi i krizës humanitare në Gaza, rreth 35 mijë kamionë me ndihma kanë hyrë në territor përmes përpjekjeve koordinuese të udhëhequra nga Egjipti dhe partnerët ndërkombëtarë.
Zyra e medias në Gaza tha të dielën se vetëm 73 kamionë me ndihma kanë hyrë në enklavën e rrethuar në 24 orët e fundit, mes një urie që po thellohet e shkaktuar nga bllokada disamujore e Izraelit. Autoritetet palestineze thonë se Gaza ka nevojë për 600 kamionë me ndihma çdo ditë për të përmbushur nevojat e popullsisë prej 2.4 milionë banorësh.
Të dielën, Izraeli njoftoi plane për pauza të përkohshme lokale në luftime për të lejuar shpërndarjen e ndihmave përmes korridoreve të sigurta të caktuara, pasi dhjetëra palestinezë vdiqën nga uria në Gaza.
Kriza e urisë në Gaza është shndërruar në një katastrofë humanitare. Pamjet tronditëse tregojnë banorë të dobësuar në gjendje të rëndë, të rraskapitur nga lodhja, dehidratimi dhe uria e tepërt.