Kallas: BE-ja gati të ripozicionojë misionin në Rafah

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), tha se blloku është gati të ripozicionojë misionin e saj Rafah dhe të diskutojë mënyrat për të mbështetur përpjekjet e stabilizimit në Gaza, raporton Anadolu.
“Ne jemi gati të ripozicionojmë misionin tonë ‘EUBAM Rafah’ në pikën kufitare Rafah. Jemi gjithashtu gati të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë me mandatin e EUPOL COPPS-it për të ndihmuar forcën e stabilizimit kur bëhet fjalë për këtë vend”, tha ajo në Paris në një takim të organizuar nga Franca që mblodhi së bashku ministrat evropianë dhe arabë për të diskutuar mbështetjen për palestinezët pas luftës në Gaza.
Ajo vuri në dukje se BE-ja është e përgatitur të diskutojë kontributin e saj në planin e paqes “në mënyrë që kjo paqe të jetë e qëndrueshme edhe në terren”.
“Ne pa dyshim jemi gati të jemi pjesë e saj, sepse ne jemi donatorët më të mëdhenj për Palestinën në aspektin e ndihmës humanitare, por edhe Autoriteti Palestinez. Kështu që mendoj se, duke pasur parasysh atë që po sjellim në tryezë, ne duhet të jemi gjithashtu rreth asaj tryeze për të diskutuar”, shtoi ajo.
Kallas tha se plani është “të rivendosen ato dy misione që kemi tashmë” dhe nëse mandatet duhet të ndryshohen ose zgjaten, “ne jemi gati të diskutojmë me shtetet anëtare se çfarë mund të bëjmë më shumë”.
“Mendoj se ky është shansi më i mirë që kemi tani”, tha kryediplomatja evropiane.
“Është mirë që takohemi këtu sot në mënyrë që kjo të ketë vërtet mbështetje ndërkombëtare dhe të jetë e qëndrueshme”, shtoi ajo.