Kaderi: i shpëtuan luftës në Gaza, gjetën vdekjen në Turqi

Kaderi: i shpëtuan luftës në Gaza, gjetën vdekjen në Turqi

MARKETING

Dymbëdhjetë vjet më parë, Abdel-Karim Abu Jalhoum iku nga lufta dhe varfëria në territorin e rrethuar palestinez të Gazës për të gjetur më shumë siguri në Turqi.

MARKETING

Sample Image

Të hënën, tërmeti masiv që shkatërroi pjesë të Turqisë dhe Sirisë vrau atë dhe të gjithë familjen e tij.

Ministria e Jashtme palestineze tha se Abu Jalhoum, gruaja e tij Fatima dhe katër fëmijët e tyre, ishin në mesin e 70 palestinezëve që ishin gjetur të vdekur. Numri i përgjithshëm i të vdekurve në tërmet ka shkuar mbi 20 mijë.

“Vëllai im shkoi në Turqi për të kërkuar një jetë më të mirë larg luftërave dhe bllokadave këtu në Gaza,” tha vëllai i Abu Jalhoum, Ramzy, 43 vjeç për agjencinë e lajmeve Reuters ndërsa të afërmit dhe fqinjët hynë në shtëpinë e familjes në qytetin Beit Lahiya në Rripin verior të Gazës të mërkurën për të bërë nderimet.

“Ne humbëm familjen. Një familje e tërë u fshi nga regjistri i gjendjes civile,” tha ai.

Abu Jalhoum kishte punuar si shofer taksie në Gaza, por luftoi për të mbajtur një familje në rritje dhe u largua në vitin 2010 për në Turqi. Atje, ai punoi në një fabrikë druri në Antakya, ndërsa Fatimja dhe fëmijët iu bashkuan pasi u stabilizua.

Foto tregon familjen e varrosur nën rrënoja

Në Antakia, jeta ishte premtuese për babain 50-vjeçar, Fatimën 33-vjeçare dhe fëmijët e tyre, Noura 16, Bara 11, Kenzi 9 vjeç dhe Mohammadi 3-vjeç që ka lindur në Turqi. Gjashtë muaj më parë ata ishin zhvendosur në një apartament të ri, sipas familjes.

Në orët pas lëkundjeve, familja e gjerë u përpoq me dëshpërim t’i kontaktonte, duke thirrur të gjithë ata që mund të ofronin ndonjë informacion. Të martën, ata e njohën familjen në një foto që tregonte të varrosur nën rrënoja, pa jetë.

Në foto, Abu Jalhoum shihet duke përqafuar fëmijët e tij, duke u përpjekur t’i mbrojë me trupin e tij, ndërsa shtëpia e tyre u shemb mbi ta.

Nuk ka shifra të sakta se sa palestinezë jetojnë në Turqi, por shumë prej tyre, veçanërisht nga Gaza, janë zhvendosur vitet e fundit në Turqi, duke ikur nga një territor me popullsi të dendur që ka dëshmuar luftëra të shpeshta që e kanë lënë ekonominë në rrënoja.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNRWA vlerëson se rreth 438 mijë refugjatë palestinezë jetojnë në Siri.

Autoriteti Palestinez, i cili ka kontrol të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, tha se kishte dërguar një mision shpëtimi në zonat e prekura.

Në shtëpinë e familjes në Beit Lahiya, nëna e Abu Jalhoum, Wedad, u lut që trupat e tyre të ktheheshin në shtëpi për varrim.

“Unë nuk e kam parë djalin tim, as fëmijët e tij për 12 vjet,” tha nëna duke qarë, e veshur me të zeza dhe e rrethuar nga fqinjët.

“Unë dua fëmijët e mij, dua t’i shoh dhe t’u jap lamtumirën.” /tesheshi.com/

MARKETING