Japonia kritikon vendimin për vendbanime të reja të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor
Japonia kritikoi sot ashpër Izraelin për vendbanimet e reja në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke theksuar se aktivitetet e vendbanimeve “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe dëmtojnë” qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete, transmeton Anadolu.
“Qeveria e Japonisë është thellësisht e shqetësuar për vendimin e Izraelit për të ndërtuar 11 vendbanime të reja dhe për të legalizuar tetë poste në Bregun Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme japoneze në një deklaratë.
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja hebraike gjatë fundjavës, duke e çuar numrin total të vendbanimeve të paligjshme të miratuara në vitet e fundit në 69, sipas shifrave izraelite.
“Tokioja përsërit keqardhjen e saj të thellë për aktivitetet e vazhdueshme të vendbanimeve nga Tel Avivi, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Japoninë”, tha ministria.
Duke vënë në dukje se Japonia ka sanksionuar katër kolonë të përfshirë në dhunë, Tokioja “edhe një herë i kërkon fuqimisht Izraelit të ndryshojë vendimin dhe të ngrijë plotësisht aktivitetet e tij të vendbanimeve”.
Japonia shprehu “shqetësim serioz” për rritjen e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve, dënoi një dhunë të tillë dhe i bëri thirrje Izraelit të “marrë menjëherë masat e duhura për të parandaluar dhunën e kolonëve”.
“Japonia përsërit urgjencën për t’u përmbajtur nga veprimet që përshkallëzojnë tensionet, përfshirë ato në Bregun Perëndimor, mes përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për të stabilizuar situatën përreth Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratë.

