Izraeli vazhdon shkatërrimin në kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor, zhvendos me forcë palestinezët

Izraeli vazhdon shkatërrimin në kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor, zhvendos me forcë palestinezët

Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj kampeve të refugjatëve në Jenin, Tulkarm dhe Nur Shams në Bregun Perëndimor për rreth 200 ditë, duke shkatërruar në masë infrastrukturën dhe duke zhvendosur me forcë palestinezët nga shtëpitë e tyre, raporton Anadolu.

Më 10 gusht, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se forcat izraelite do të qëndrojnë në kampet e refugjatëve të Bregut Perëndimor të paktën deri në fund të vitit, duke pretenduar se këto kampe ishin “fole terrorizmi” të financuara dhe armatosura nga Irani për të krijuar një front të ri kundër Izraelit.

Faisal Salameh, kreu i Komitetit Popullor të Kampit të Refugjatëve Tulkarm, tha se sulmet izraelite, që vazhdojnë që nga janari, synojnë zhvendosjen e banorëve. Ai bëri të ditur se rreth 2.000 njësi banimi janë shkatërruar në kampet e Tulkarmit dhe Nur Shamsit, mijëra shtëpi të tjera janë dëmtuar dhe 25.000 palestinezë janë zhvendosur.

Palestinezët që jetojnë në këto kampe thonë se prania e ushtrisë izraelite është pjesë e një plani për të likuiduar çështjen e refugjatëve.

Nihad al-Shawish, kreu i Komitetit Popullor të Kampit të Refugjatëve Nur Shams, tha se Izraeli e ka shkatërruar plotësisht kampin. Sipas tij, qëllimi i vazhdimit të sulmeve është ta kthejë kampin në një vend të pabanuar dhe të detyrojë njerëzit të kërkojnë alternativa.

Ai theksoi se sulmet janë pjesë e një projekti politik të hartuar për të detyruar palestinezët të pranojnë kushtet e Izraelit, por shtoi se palestinezët nuk do të negociojnë mbi “të drejtat” e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, i konsideron vendbanimet izraelite të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

OKB-ja në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar se zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve rrezikon zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete, një kornizë që shihet si thelbësore për zgjidhjen e konfliktit shumë-dekadësh palestinezo-izraelit.

Në një opinion këshillues në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING