Izraeli synon të pushtojë plotësisht Bregun Perëndimor me ndërtime të reja rrugësh

Fshatarët palestinezë kanë protestuar kundër ndërtimit të rrugëve të reja nga forcat izraelite pranë Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Banorët e fshatit Beit Ur al-Fuka thanë se punët synojnë të lidhin vendbanimet izraelite dhe të përfundojnë rrethimin e fshatit të tyre.
Ali Faysal Samara, kreu i këshillit të fshatit, tha se buldozerët izraelitë po hapin një rrugë nga veriu për të lidhur vendbanimet, duke lënë vetëm një pjesë të vogël prej 4.500 dynumesh tokë të fshatit të paprekur.
Një tjetër fshatar dhe anëtar i këshillit, Eshref Samara, tha se projekti synon të pushtojë tokën dhe të kufizojë qasjen e palestinezëve.
Të paktën 1.047 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 10 mijë të tjerë janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm që nga tetori i vitit 2023.
Në një vendim historik korrikun e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.