Izraeli shpenzon miliona dollarë në fushata reklamash onlajn për të mohuar urinë në Gaza

Izraeli shpenzon miliona dollarë në fushata reklamash onlajn për të mohuar urinë në Gaza

Izraeli ka shpenzuar 167 milionë shekelë (50 milionë dollarë) në një marrëveshje me platforma si Google dhe platforma amerikane e medias sociale X, si dhe platformat franceze dhe izraelite të reklamave, për të mohuar urinë në Gaza, tha sot transmetuesi spanjoll RTVE bazuar në një raport të “Eurovision News”, transmeton Anadolu.

Sipas një hetimi të përbashkët nga Eurovision, Komiteti i Përjashtimeve i Izraelit ka miratuar në qershor një kërkesë nga agjencia shtetërore e reklamave “Lapam” për të drejtuar fushata informimi publik me vlerë 50 milionë dollarë me Google, X dhe platformat franceze dhe izraelite “Outbrain” dhe “Teads”.

Kontratat, që vlejnë nga 17 qershori deri më 31 dhjetor, ndajnë 150 milionë shekel (45 milionë dollarë) për YouTube dhe platformën e menaxhimit të fushatave të reklamave të Google, “Display & Video 360”.

X gjithashtu ka marrë 10 milionë shekelë (3,03 milionë dollarë), ndërsa platformat franceze dhe izraelite të reklamave Outbrain dhe Teads kanë marrë 7 milionë shekelë (2,12 milionë dollarë).

Raporti, i titulluar “Fronti i ri i luftës: Brenda ofensivës digjitale ‘hasbara’ të Izraelit”, tregon se si fushatat e sponsorizuara nga shteti të Izraelit përdorin mediat sociale, influencuesit e paguar dhe turnetë ushtarake për të formësuar narrativën globale mbi Gazën.

Dokumentet nga viti 2018 deri në korrik 2025, të zbuluara nga hetimi, tregojnë se Lapam përdor platformat e reklamave të Google dhe Meta për të promovuar narrativat e qeverisë izraelite dhe për t’iu kundërvënë kritikëve të politikave dhe operacioneve ushtarake të Tel Avivit përmes fushatave të paguara.

Vitin e kaluar, Lapam ka sponsorizuar 2.000 reklama, me 900 të drejtuara për audiencat vendase dhe 1.100 të drejtuara për shikuesit ndërkombëtarë në vende të zgjedhura, tha raporti, duke cituar Qendrën e Transparencës të “Google Ads”.

Agjencia e reklamave ka transmetuar mbi 4.000 reklama midis 1 janarit dhe 5 shtatorit 2025, me gjysmën që ka synuar audiencat ndërkombëtare.

Izraeli i përdor këto fushata veçanërisht për të provuar të mohojë urinë në Gaza, “duke portretizuar një pamje të normalitetit brenda enklavës së rrethuar”.

– Shënjestrimi i kritikëve

Lapam ka publikuar dhjetëra reklama në Google, YouTube, Teads/Outbrain dhe X që tregonin tregjet e zhurmshme të Gazës për të kundërshtuar deklaratën e urisë nga Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC).

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se një fushatë tjetër reklamash e mbështetur nga Lapam i ka nxitur lexuesit të dallonin “të meta dhe mospërputhje” në raportin e urisë të IPC-së.

Duke u shfaqur mbi rezultatet e kërkimit të Google në disa vende evropiane – duke përfshirë Belgjikën, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Suedinë dhe Gjermaninë – ajo i ka drejtuar përdoruesit drejt një faqe interneti të qeverisë izraelite.

Po atë ditë që IPC-ja publikoi vlerësimin e saj fillestar, Lapam ka nisur një fushatë reklamash video shumëgjuhëshe në kanalin YouTube të Ministrisë së Jashtme izraelite duke treguar tregje të zhurmshme dhe restorante të hapura në Gaza.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se midis gushtit dhe fillimit të shtatorit 2025, videot që tregonin tregjet dhe restorantet e Gazës kanë marrë mbi 30 milionë shikime, të nxitura jo organikisht, por përmes promovimit të paguar përmes Google Ads në shumë vende.

Fushata reklamuese e Izraelit ka shënjestruar gjithashtu kritikët, duke përfshirë rezultatet kryesore të kërkimit për “UNRWA”, duke i drejtuar përdoruesit në një faqe interneti qeveritare që e etiketon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë si “fasadë për Hamasin”.

Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, është përballur gjithashtu me muaj të tërë reklamash të paguara në gjithë Evropën duke u akuzuar si “antisemite” për kritikimin e politikave izraelite.

Eurovision tha se kanë kërkuar koment nga Google dy herë mbi politikat e saj të reklamave dhe shpenzimet e qeverisë izraelite, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Strategjia e Izraelit vë në pah cenueshmërinë e publikut ndërkombëtar ndaj narrativave emocionalisht bindëse dhe sfidat me të cilat përballen verifikuesit e fakteve dhe gazetarët tradicionalë në kundërshtimin e tyre”, nënvizoi raporti.

MARKETING