“Izraeli po përgatitet për një masakër të madhe në Gaza”

Drejtori i spitalit “Al-Shifa” në Gaza, Mohammed Abu Salmiya deklaroi se Izraeli po përgatitet të kryejë një masakër në Gaza pa u publikuar asnjë pamje filmike ose audio nga rajoni, raporton Anadolu.
Abu Salmiya bëri një deklaratë për gazetarin e AA-së në lidhje me sulmin e ushtrisë izraelite ndaj një tende të gazetarëve pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës mbrëmë, ku u vranë gjashtë gazetarë, përfshirë gazetarët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohammed Quraika.
“Ne do të vdesim dhe jemi të shqetësuar se askush nuk do ta dijë për këtë”, tha Abu Salmiya duke shtuar se “Vrasja e gazetarëve nga Izraeli tregon se ata po planifikojnë diçka të madhe kundër qytetit të Gazës”.
Lidhur me vrasjen e gazetarëve Sharif dhe Quraika në sulmin izraelit, Abu Siamiya tha: “Gaza dhe bota kanë humbur zëra që përcollën pa asnjë shtrembërim ose shtesë padrejtësitë që pësoi populli palestinez në Rripin e Gazës”.
“Izraeli po përgatitet për një masakër të madhe pa u publikuar asnjë pamje filmike ose audio nga rajoni. Kjo është arsyeja pse ata vranë gazetarët e Al Jazeera-s, Sharif dhe Quraika”, tha Abu Salmiya.
– Izraeli sulmoi tendën e gazetarëve pranë spitalit
Mbrëmë, ushtria izraelite sulmoi një tendë gazetarësh pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës, duke vrarë gazetarët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohammed Quraika, gazetarin Mohammed al-Khalidi dhe tre kameramanë.
Ushtria izraelite lëshoi një deklaratë duke pranuar se Anas al-Sharif ishte vrarë në sulm.
Në deklaratë pretendohej se “Sharif u vendos në shënjestër sepse ai ka shërbyer si udhëheqës i një qelize brenda Hamasit dhe ka planifikuar sulme me raketa kundër Izraelit”.