Izraeli planifikon të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shkak të mungesës së trupave
MARKETING
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se qeveria planifikon të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak pasi ushtria përballet me një mungesë gjithnjë e më të madhe të personelit, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, Netanyahu i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë në përgjigje të shefit të shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir, i cili paralajmëroi se ushtria mund të pësojë kolaps nëse kriza nuk zgjidhet.
Ai tha se qeveria do të ndërmarrë hapa për të rishikuar ligjet e rekrutimit dhe për të zgjatur periudhat e shërbimit pas festës hebraike të Pashkës.
Duke hedhur poshtë kundërshtimet e një këshilltari ligjor të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Knesset-it lidhur me lehtësimin e kërkesave për rekrutim për hebrenjtë ultra-ortodoksë, Netanyahu tha se “roli i tij është të këshillojë, por vendimet merren nga ne”.
Sekretari i kabinetit, Yossi Fuchs tha se qeveria do të shqyrtojë si zgjatjen e shërbimit ashtu edhe avancimin e një ligji të ri për rekrutim menjëherë pas festës.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin tha se ushtria përballet me një mungesë prej rreth 15 mijë trupash, përfshirë 8 mijë ushtarë luftarakë.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë kanë theksuar se kërkesat në rritje operacionale, përfshirë operacionet e vazhdueshme në Gaza, sulmet ndaj Iranit dhe Libanit si dhe sigurimin e vendbanimeve të ndërtuara në tokat e pushtuara palestineze në Bregun Perëndimor, janë faktorë kryesorë që po ndikojnë në këtë mungesë.
Ata paralajmëruan se teksa misionet po rriten, numri i trupave po bie. Çështja e rekrutimit të hebrenjve ultra-ortodoksë (Haredi) ka shkaktuar një krizë politike në Izrael, me partnerët Haredi të koalicionit të Netanyahut që bojkotojnë votimet parlamentare për shkak të ligjit të propozuar.
Sipas ligjit aktual, burrat izraelitë kryejnë 32 muaj shërbim të detyrueshëm ushtarak ndërsa gratë 24 muaj, me propozime në diskutim për ta zgjatur këtë periudhë në 36 muaj.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Izraeli po zgjeron operacionet tokësore në jug të Libanit, ku ushtria ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar praninë e saj drejt zonave në veri të lumit Litani ndërsa vazhdon bombardimet ajrore ndaj Libanit dhe ofensivën tokësore të nisur pas një sulmi ndërkufitar nga grupi Hezbollah më 2 mars.
Përshkallëzimi ndodhi në mes të një ofensive të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila ka shkaktuar më shumë se 1.340 viktima që nga 28 shkurti.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, bazat amerikane dhe vendet e Gjirit.

