Izraeli pengon palestinezët e Bregut Perëndimor që të falin namazin e xhumasë në Al-Aksa gjatë Ramazanit

Edhe në këtë Ramazan Izraeli ka përsëritur vendimin e tij për të penguar palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar që të kalojnë në Kuds për të falur namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Kryeministria izraelite thuhet se ashtu si në vitet e kaluara, janë vendosur kufizime për hyrjen e palestinezëve që vijnë nga Bregu Perëndimor në Kudsin Lindor për të falur namazin e xhumasë gjatë muajit të Ramazanit.
Në deklaratë theksohet se ata që vijnë nga Bregu Perëndimor për adhurim në ditët e premte gjatë Ramazanit do të lejohen të hyjnë në Kuds me kusht që të kenë leje të vlefshme dhe t’i nënshtrohen një vlerësimi sigurie.
Gjithashtu vihet në dukje se në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, do të lejohen të hyjnë vetëm burrat mbi 55-vjeç, gratë mbi 50-vjeç dhe fëmijët nën moshën 10-vjeç, me kusht që të marrin lejet e nevojshme dhe t’i nënshtrohen një vlerësimi sigurie.
Forcat izraelite çdo vit gjatë Ramazanit rrisin numrin e ushtarëve në pikat e kontrollit midis Bregut Perëndimor dhe Kudsit ndërsa kontrollojnë identitetin e palestinezëve që kërkojnë të kalojnë.
Izraeli pengon shumë palestinezë që të hyjnë në Kuds nga Bregu Perëndimor për të falur namazin e xhumasë, pavarësisht se kanë leje të veçanta.
Kudsi Lindor dhe Bregu Perëndimor që nga viti 1967 mbahen nën pushtimin izraelit. Izraeli nuk i lejon palestinezët nga Bregu Perëndimor të kalojnë në Kuds në ditë të zakonshme, përveç atyre me leje të veçanta.