Izraeli njofton “pezullim taktik” të operacioneve ushtarake në 3 pjesë të Rripit të Gazës

Izraeli njofton “pezullim taktik” të operacioneve ushtarake në 3 pjesë të Rripit të Gazës

Një i ashtuquajtur “pezullim taktik dhe lokal i operacioneve ushtarake” i njoftuar nga Izraeli ka hyrë në fuqi mëngjesin e sotëm në zona të përcaktuara të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite tha se pezullimi filloi në orën 10:00 me kohën lokale në tre zona kryesore, në Al-Mawasi, Deir al-Balah dhe Qytetin Gaza, duke mbuluar pjesë të Rripit të Gazës qendrore, jugore dhe veriore.

Njoftimi erdhi disa orë pasi Channel 12 i Izraelit raportoi se udhëheqësit e lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar, kishin rënë dakord për një pauzë të kufizuar humanitare.

Nuk është dhënë një afat kohor i saktë për mbarimin e pezullimit.

Që nga 27 maji, Izraeli ka nisur një iniciativë për shpërndarjen e ndihmave përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), duke anashkaluar OKB-në dhe agjencitë ndërkombëtare humanitare. Ky veprim është refuzuar gjerësisht nga komuniteti global i ndihmës. GHF mbështetet nga SHBA-ja.

Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të hapin zjarr ndaj palestinezëve që mblidhen pranë qendrave të shpërndarjes, duke vrarë qindra palestinezë.

Kriza e urisë në Gaza është shndërruar në një katastrofë humanitare. Pamjet tronditëse tregojnë banorë të dobësuar rëndë, disa të reduktuar në lëkurë e kockë, duke u shembur nga lodhja, dehidratimi dhe uria e zgjatur.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

MARKETING