Izraeli mbyll Xhaminë Ibrahim në Hebron, vendos orë policore ndaj palestinezëve për festën hebraike
Forcat izraelite kanë vendosur një orë policore ndaj palestinezëve në Qytetin e Vjetër të Hebronit në Bregun Perëndimor dhe kanë mbyllur Xhamin Ibrahim për besimtarët muslimanë për të lejuar kolonët e paligjshëm të shënojnë një festë hebraike.
Aref Jaber, një anëtar i Komitetit joqeveritar të Mbrojtjes së Hebronit dhe banor i zonës, për Anadolu tha se ushtria izraelite ka zbatuar orën policore që nga mëngjesi i ditës së djeshme në shumë lagje në Qytetin e Vjetër.
Jaber tha se forcat izraelite mbyllën pikat e kontrollit ushtarak që të çonin në Qytetin e Vjetër dhe ndaluan të gjitha hyrjet dhe daljet.
Ai shtoi se shumë banorë palestinezë nuk mundeshin të kthehen në shtëpitë e tyre dhe u detyruan të qëndronin gjatë natës me të afërmit diku tjetër në Hebron.
Aktivisti gjithashtu tha se qindra kolonë të paligjshëm mbrëmë hynë në Qytetin e Vjetër dhe përsëri edhe të shtunën në mëngjes, duke marshuar nëpër rrugët e tij në atë që ai e përshkroi si procesione “provokuese” nën roje të forta ushtarake izraelite.
Ai tha se shtetrrethimi vjen mes përpjekjeve izraelite për të marrë kontrollin e plotë të pjesës tjetër të Xhamisë Ibrahim dhe për ta shndërruar atë në sinagogë.
Festa e kolonëve është pjesë e Ditës së Sarës, një rast fetar hebraik që mbahet çdo vit në Hebron për të promovuar rrëfimin e një pranie historike hebraike në qytet.
Sipas Ministrisë Palestineze të Fondacioneve Fetare, autoritetet izraelite që nga fillimi i vitit 2025kanë vazhduar të mbyllin portën Souq të Xhamisë Ibrahim çdo ditë dhe e kanë mbajtur portën lindore të mbyllur, duke përfshirë mbulimin e dritareve të saj.
Xhamia Ibrahim ndodhet në Qytetin e Vjetër të Hebronit, i cili është nën kontrollin e plotë izraelit dhe shtëpi e rreth 400 kolonëve të paligjshëm të ruajtur nga afër 1.500 ushtarë izraelitë.
Izraeli e ndau xhaminë në vitin 1994, duke ndarë 63 përqind për adhurimin hebre dhe 37 përqind për muslimanët, pasi një masakër nga kolonët e paligjshëm vrau 29 besimtarë palestinezë. Seksioni i caktuar për adhurimin hebre përfshin dhomën e thirrjes për lutje.
Sipas marrëveshjeve të njëanshme izraelite, xhamia është plotësisht e mbyllur për muslimanët 10 ditë në vit për festat fetare hebraike dhe plotësisht e mbyllur për hebrenjtë në 10 raste islame.
Megjithatë, Izraeli nuk ka respektuar qasjen e plotë për muslimanët gjatë festave të tyre që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023.

