Izraeli kryen sulme të reja në Gaza, pavarësisht armëpushimit
Ushtria izraelite shënjestroi sot zonat perëndimore të qytetit Rafah dhe qëlloi me predha artilerie dhe armë zjarri nga helikopterët në lagjet veriore të qytetit, pavarësisht armëpushimit, raporton Anadolu.
Korrespondenti i Anadolu-s tha se artileria izraelite shënjestroi zonat veriore të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore gjatë orëve të para të mëngjesit. Ende nuk është raportuar për viktima ose të plagosur.
Ushtria izraelite tha të martën vonë se dy palestinezë u vranë në atë të cilën e përshkroi si shkëmbim zjarri në Rafah. Gazeta izraelite “Israel Hayom” raportoi se dy ushtarë izraelitë u plagosën lehtë gjatë të njëjtit shkëmbim zjarri në qytet.
Që nga njoftimi i armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor 2025, Izraeli ka vrarë mbi 400 palestinezë në shkelje të përsëritura të marrëveshjes.
Izraeli ka vazhduar të shkelë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në nëntor 2025 që bën thirrje për armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Gaza, shpërndarje të papenguar të ndihmës humanitare dhe rindërtimin e territorit.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 71 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në ofensivën brutale që nga tetori i vitit 2023 që e ka lënë Gazën në rrënoja.

