Izraeli kryen sulme të fuqishme ajrore në jugun dhe lindjen e Libanit në një përshkallëzim të madh

Avionët luftarakë izraelitë kanë ndërmarrë një sërë sulmesh të fuqishme ajrore në jugun dhe lindjen e Libanit, duke goditur zona në Luginën Bekaa dhe distriktet Baalbek dhe Jezzine, në një përshkallëzim të ndjeshëm dhe në një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se në jug të Libanit, avionët izraelitë goditën qytetet Mahmudiyeh dhe Khardali në distriktin Jezzine me tre sulme ajrore dhe kryen edhe tre sulme të tjera pranë qytetit Jarmaq në të njëjtën zonë.
Në lindje, sulmet shënjestruan vargun malor lindor ndërmjet zonave shkëmbore Kheraybeh dhe Brital, si dhe zonën Shaara pranë qytetit Janta në Luginën Bekaa.
Avionët izraelitë gjithashtu goditën qytetin Nasiriyah dhe zonën Tallet al-Sunduq në distriktin Zahle në Bekaa.
Një tjetër sulm goditi periferinë e Britalit, ndërsa dy sulmet e fundit ajrore goditën kodrat që shtrihen mes Kheraybeh dhe Brital, duke e çuar numrin total të sulmeve në vargun lindor në shtatë.
Ende nuk ka informacione për viktima.