Izraeli konfirmon se ka shkatërruar 1.000 kamionë me ndihma humanitare në jug të Gazës

Izraeli konfirmon se ka shkatërruar 1.000 kamionë me ndihma humanitare në jug të Gazës

Zyrtarë izraelitë pranuan të premten se kanë prishur ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore që ishin ngarkuar në më shumë se 1.000 kamionë ndihmash në pikëkalimin Kerem Shalom, të cilat u lanë të kalben pasi shpërndarja e tyre drejt Rripit të Gazës u bllokua.

Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, kamionët e ndihmave mbanin dhjetëra mijëra pako humanitare. Ato ishin lënë për javë të tëra nën rrezet e diellit në pikëkalim, pa u shpërndarë, derisa u prishën.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi të premten se numri i të vdekurve nga uria dhe kequshqyerja që nga tetori 2023 ka arritur në 122 palestinezë, përfshirë 83 fëmijë.

Një oficer izraelit i tha KAN:  “I varrosëm të gjitha në tokë, dhe disa nga furnizimet i dogjëm,” pa dhënë hollësi për kohën e ngjarjes.

Ai shtoi se “Edhe tani, mijëra pako po qëndrojnë në diell. Nëse nuk lejohen të futen në Gaza, do të na duhet t’i shkatërrojmë edhe ato.”

Burime ushtarake i thanë KAN se “vetëm 100 deri në 150 kamionë lejohen të hyjnë çdo ditë në anën palestineze të pikëkalimit, dhe shumica prej tyre nuk shkarkohen për shkak të kolapsit të mekanizmit të shpërndarjes.”

Një tjetër zyrtar izraelit u shpreh se mekanizmi nuk funksionon. “Kamionët ndalohen, rrugët janë të papërdorshme, dhe nuk ka koordinim.”

“Këtu kemi magazinën më të madhe të drithërave në botë, dhe nëse mallrat aktuale nuk merren së shpejti, do t’i shkatërrojmë dhe t’i varrosim”, shtoi zyrtari.

Uria është përkeqësuar ndjeshëm brenda Gazës. Pamje dhe video që qarkullojnë tregojnë palestinezë me trup të rrëgjuar, të ngjashëm me skelet, si pasojë e urisë ekstreme, së bashku me simptoma si të përziera, rraskapitje dhe humbje ndjenjash.

Të martën, Programi Botëror për Ushqimin (WFP) paralajmëroi se një e treta e popullsisë së Gazës nuk kishte ngrënë për disa ditë, për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite.

Që nga 2 marsi, Izraeli është tërhequr nga zbatimi i një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve me Hamasin, duke mbajtur të mbyllura pikat kufitare të Gazës, çka ka lënë qindra kamionë ndihmash të bllokuar në kufi.

MARKETING