Izraeli jep ultimatum 60-ditor për Ham’asin që të çarmatoset, kërcënon se do të rifillojë luftën

Izraeli jep ultimatum 60-ditor për Ham’asin që të çarmatoset, kërcënon se do të rifillojë luftën

Izraeli ka deklaruar se do t’i japë një ultimatum 60-ditor grupit palestinez Hamas për t’u çarmatosur, duke kërcënuar se do të rifillojë luftën nëse grupi palestinez nuk i përmbahet kërkesës, transmeton Anadolu.

Sekretari i kabinetit izraelit, Yossi Fuchs, gjatë një konference në Kuds, sipas portalit të lajmeve ‘Times of Israel’, tha se Hamasi “do të duhet të heqë dorë nga të gjitha armët e tij”, përfshirë pushkët.

Fuchs pretendoi se periudha 60-ditore është kërkuar nga administrata amerikane.

“Ne po e respektojmë këtë”, tha ai.

Pa konfirmuar saktësisht se kur do të nisë ultimatumi, Fuchs tha se ai mund të fillojë me takimin e 19 shkurtit të Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Do ta vlerësojmë. Nëse funksionon, shumë mirë. Nëse jo, atëherë IDF-ja (ushtria) do të duhet ta përfundojë misionin”, tha ai.

Deri më tani, Hamasi apo Washingtoni nuk janë prononcuar mbi pretendimin izraelit.

Një marrëveshje armëpushimi e mbështetur nga SHBA-ja është në fuqi në Gaza që nga 10 tetori, duke ndalur luftën 2-vjeçare të Izraelit, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 72 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë.

Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, forcat izraelite kanë kryer qindra shkelje përmes granatimeve dhe të shtënave dhe vetëm që atëherë ka vrarë 603 palestinezë dhe ka plagosur 1.618 të tjerë.

Faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit filloi në mesin e janarit dhe përfshin dispozita që lidhen me çarmatosjen e Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze në Gaza.

Hamasi ka hedhur poshtë thirrjet për të dorëzuar armët, duke propozuar që ato të “ruhen ose të ngrihen”. Grupi thekson se është një lëvizje rezistence kundër Izraelit, të cilin OKB-ja e konsideron fuqi pushtuese në territoret palestineze.

MARKETING