Izraeli ia transferon këshillit të kolonëve autoritetin e Xhamisë së profetit Ibrahim

Autoritetet izraelite ia kanë hequr komunës së Hebronit (El Halil), e cila administrohet nga palestinezët, kompetencat administrative mbi Xhaminë e profetit Ibrahim dhe ia kanë transferuar ato një këshilli fetar të kolonëve, transmeton Anadolu.
Duke e përshkruar këtë veprim si një “ndryshim historik dhe të pashembullt”, gazeta e përditshme “Israel Hayom” tha se Administrata Civile e Izraelit autoritetin mbi vendin e shenjtë ia kishte ri-caktuar këshillit fetar të vendbanimit Kiryat Arba, ngjitur me El Halil në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Raporti nuk specifikoi fushëveprimin e kompetencave të transferuara, por tha se masa synon të lehtësojë “ndryshimet strukturore” në xhami.
Kjo shënon ndryshimin e parë të madh në statusin e xhamisë që nga rekomandimet e vitit 1994 të Komisionit Shamgar, i cili ndau aksesin, duke i caktuar 63 për qind të vendit besimtarëve hebrenj dhe 37 për qind muslimanëve.
Kjo ndarje pasoi masakrën e vitit 1994 nga kolonisti ekstremist Baruch Goldstein, i cili vrau 29 besimtarë palestinezë gjatë namazit të sabahut.
Sipas gazetës, Administrata Civile ka kohë që kërkon të zbatojë ndryshime strukturore në vend, duke përfshirë rinovimin e çatisë dhe ndërtimin te “Oborri i Jakobit”, i cili u shërben besimtarëve hebrenj për pjesën më të madhe të vitit.
Nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet izraelite ose përgjigje nga qeveria palestineze ndaj raportit.
Në një deklaratë të lëshuar më 26 shkurt, Ministria Palestineze e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare përsëriti se Xhamia e profetit Ibrahim, e njohur edhe si Shpella e Patriarkëve dhe Shpella e Makpelahut, është “një vakëf ekskluzive islame” dhe dënoi përpjekjet izraelite për ta transformuar xhaminë në një sinagogë hebraike.
Xhamia ndodhet në Qytetin e Vjetër të El Halilit, në një zonë nën kontrollin e plotë të Izraelit, ku jetojnë rreth 400 kolonë të paligjshëm nën mbrojtjen e rreth 1.500 ushtarëve izraelitë.