Izraeli deporton 32 aktivistë të huaj për mbështetjen e fermerëve palestinezë

Izraeli urdhëroi dëbimin e 32 aktivistëve të huaj për mbështetjen e tyre ndaj palestinezëve që mbledhin ullinj kundër dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrit të Brendshëm izraelit Yariv Levin dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir thuhet se aktivistët do të dëbohen për shkak të dyshimeve për lidhje me “Unionin e Komiteteve të Punës Bujqësore”, një organizatë joqeveritare që mbështet fermerët palestinezë.
Aktivistëve u ndalohet hyrja në Izrael për 99 vjet, thuhet në deklaratën pa specifikuar kombësitë e aktivistëve. Urdhri i dëbimit erdhi pas një kërkese nga Yossi Dagan, kreu i Këshillit të Vendbanimeve në veri të Bregut Perëndimor.
E themeluar në vitin 1986, “Unioni i Komiteteve të Punës Bujqësore” është organizata më e madhe joqeveritare e zhvillimit bujqësor në Bregun Perëndimor për të mbështetur fermerët palestinezë kundër kufizimeve izraelite.
Veçmas, ushtria izraelite arrestoi 45 palestinezë në bastisjet ushtarake në të gjithë Bregun Perëndimor.
Organizata joqeveritare Shoqata Palestineze e të Burgosurve tha se 30 persona u arrestuan në Khalil dhe 15 të tjerë në qytete të tjera, ku forcat ushtarake izraelite sulmuan familjet e të burgosurve dhe dëmtuan pronat e tyre.
Më shumë se 10 mijë të burgosur palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra mbahen në burgjet izraelite, të cilët përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, duke rezultuar në vdekjen e shumë prej tyre, thonë raportet e të drejtave të njeriut, mediave palestineze dhe izraelite.
Sulmet izraelite janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori 2023, duke vrarë më shumë se 1.056 palestinezë, duke plagosur 10.300 dhe duke arrestuar mbi 20 mijë të tjerë, sipas shifrave palestineze.
Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.