Izraeli bombardon një tjetër spital në Gaza, ndërpriten shërbimet mjekësore

Izraeli bombardon një tjetër spital në Gaza, ndërpriten shërbimet mjekësore

Ushtria izraelite shënjestroi një spital tjetër në Rripin e Gazës, duke ndërprerë shërbimet mjekësore, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, raporton Anadolu.

“Ushtria izraelite bombardoi spitalin ‘Al-Helou’ në qytetin e Gazës me dy raketa, duke e bërë të pamundur hyrjen ose daljen nga spitali”, tha të dielën për AA-në drejtori i Zyrës për media i Ministrisë së Shëndetësisë, Ismail Al-Thawabta.

“Mjekët dhe pacientët brenda spitalit po jetojnë në një gjendje terrori dhe frike të rëndë, e cila është përkeqësuar nga ndërprerja e qëllimshme e rrjetit të internetit të spitalit nga pushtuesi për ta izoluar atë nga bota e jashtme dhe për të pezulluar shërbimet mjekësore për civilët”, tha Thawabta.

Ai theksoi se veprime të tilla nga Izraeli përbëjnë “krime kundër njerëzimit” dhe se një “krim i plotë lufte iu shtua rekordit të zi të pushtimit (izraelit)”.

Të paktën 38 spitale në Rripin e Gazës u shkatërruan ose u nxorën jashtë funksionit, 96 qendra shëndetësore u shënjestruan dhe 197 ambulanca u shkatërruan ose u dëmtuan nga ushtria izraelite që nga fillimi i luftës së saj gjenocidale në tetor 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pushtimi (izraelit) ka kryer gjithashtu 788 sulme të drejtpërdrejta ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor, stafit dhe zinxhirëve të furnizimit, dhe ka vrarë 1.670 punonjës mjekësorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre humanitare”, shtoi drejtori.

“Këto shifra të dokumentuara nuk janë vetëm statistika, por prova të qarta të politikës së pushtimit për të synuar jetën, shëndetin dhe dinjitetin e popullit palestinez. Këto krime nuk do të harrohen me kalimin e kohës”, tha zyrtari, ndërsa i mbajti Izraelin dhe SHBA-në plotësisht përgjegjës.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përsipër përgjegjësitë e saj ligjore dhe morale për të ndaluar këtë krim të vazhdueshëm dhe për të mbrojtur civilët dhe sistemin e kujdesit shëndetësor në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite që nga tetori i vitit 2023 ne deri më tani ka vrarë në Rripin e Gazës mbi 66 mijë palestinezë shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.

MARKETING