Izet Mexhiti: Çarshia e Vjetër do të bëhet qendër e vërtetë kulturore dhe ekonomike e Shkupit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, bashkë me Ministrin e Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, drejtorët e Qendrës Konservatore dhe Muzeut të Maqedonisë si dhe përfaqësues të Esnafit, prezantoi sot projektin për Çarshinë e Vjetër.
“Po nisim pastrimin dhe rregullimin e parkingut nëntokësor me kapacitet për 60 vetura dhe hapësirën e jashtme për edhe 60 të tjera. Brenda 10 ditëve, ky parking do të jetë funksional dhe në shërbim të vizitorëve, esnafëve dhe punëtorëve të institucioneve këtu. Kjo është vetëm pika e parë e një vizioni më të madh për transformimin e Çarshisë,” ka thënë Mexhiti.
Mexhiti theksoi se projekti për Çarshinë nuk ndalet vetëm te hapja e parkingut tek muzeu, por përfshin edhe masa të tjera konkrete siç është vendosja e kontejnerëve nëntokësorë për menaxhim më efikas të mbeturinave, rikonstruksioni i plotë i kalldrëmit në rrugët Samarxhiska, Kovaçka, Petar Mihov, Saraçka dhe pjesërisht Papuxhiska si dhe vendosja e kabllove nëntokësore bashkë me ndërrimin e rrjetit të dëmtuar të gypave.
“Çarshia e Vjetër do të jetë më e qasshme, më e pastër dhe më atraktive për turistë, qytetarë e biznese. Ajo do të bëhet një qendër e gjallë kulturore, ekonomike dhe turistike, ku historia do të respektohet, por njëkohësisht do të bashkëjetojë me modernitetin. Ky ka qenë dhe mbetet vizioni im për Çairin,” ka deklaruar Mexhiti.
Ky projekt, sipas zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, është dëshmi e një angazhimi të palëkundur për zhvillim të qëndrueshëm, investime të mençura dhe përkushtim të ndershëm ndaj qytetarëve dhe trashëgimisë së tyre.