Itali, deputetët e opozitës hynë në parlament të veshur me ngjyrat e flamurit palestinez

Itali, deputetët e opozitës hynë në parlament të veshur me ngjyrat e flamurit palestinez

Në Itali, anëtarët e parlamentit nga partia opozitare Lëvizja Pesë Yje (M5S) morën pjesë në një seancë parlamentare duke veshur ngjyrat e flamurit palestinez, raporton Anadolu.

Të veshur me të kuqe, të zezë, të gjelbër dhe të bardhë, anëtarët e M5S, të ulur në formën e flamurit palestinez gjatë seancës në Dhomën e Përfaqësuesve, dhomën e ulët të parlamentit, përcollën mesazhin se flamuri palestinez është bërë flamuri universal i atyre që luftojnë për njerëzimin.

Duke folur gjatë seancës parlamentare, deputeti i M5S, Riccardo Ricciardi, deklaroi se ata nuk e mbajnë në duar flamurin palestinez sepse e dinin se do t’u merrej. Ai më tej shtroi pyetjen: “Ndërsa pothuajse e gjithë bota e njeh shtetin e Palestinës, pse Italia nuk e njeh?”.

“Sepse ky nuk është më vetëm flamuri i Palestinës, është flamuri i atyre që luftojnë për njerëzimin. Dhe ju jeni fajtorë. Heshtët pavarësisht se e dinit. Për faktin se shikuat anën tjetër ndërsa një popull po masakrohej. Që shtrënguat duart e përgjakshme të (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahut”.

Mbështetja ekonomike dhe politike e Izraelit konsiderohet gjithashtu krim, theksoi Ricciardi i cili shtoi: “Ju gjithmonë do të kujtoheni si të zhveshur nga ndjenjat njerëzore. Vetë fakti që ka debat nëse ajo që ndodhi (në Gaza) përbën apo jo gjenocid, tregon madhësinë e krimit. Tani jemi përtej përkufizimit të gjenocidit. Nuk ka ende asnjë fjalë në fjalor që mund të përshkruajë atë që po ndodh tani.”

– “Ne donim të mbronim të drejtën e ekzistencës së Palestinës dhe popullit të saj”

Lideri i Lëvizjes 5 Yje, Giuseppe Conte, në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ku shfaqej një foto e deputetëve, deklaroi se Italia duhet të qëndrojë në anën e duhur.

“Liderët tanë thonë se nuk duhet ta njohim shtetin e Palestinës, nuk duhet t’i vendosim sanksione Izraelit dhe nuk duhet t’i prishim marrëveshjet ushtarake me një qeveri kriminale. Ne do të vazhdojmë të themi se duhet të qëndrojmë kundër këtij gjenocidi që ka shkaktuar mbi 60.000 vdekje, 18.000 prej të cilëve janë fëmijë, dhe që ka për qëllim të eliminojë një popull duke e lënë në uri. Sot, në parlament, si Lëvizja 5 Yje, ne donim të mbronim të drejtën e ekzistencës së Palestinës dhe popullit të saj. Ata do të na e kishin marrë nga duart flamurin tonë, por ne e mbajtëm atë të veshur”, deklaroi Conte.

Lëvizja 5 Yje gjithashtu ndau një postim në llogarinë e saj në rrjetet sociale, duke thënë: “Sot, ne nuk po e valëvitim këtë flamur, përndryshe do të na e kishit marrë nga dora. Sot, ne e mbajmë atë në lëkurën tonë. Sepse ky nuk është më vetëm flamuri i Palestinës, është flamuri universal i atyre që luftojnë për njerëzimin”.

Ky veprim i partisë M5S në Dhomën e Përfaqësuesve tërhoqi vëmendjen edhe të publikut italian. Shumë mbështetës të Palestinës në Itali ndanë në mediat sociale imazhe të deputetëve të veshur me ngjyrat e flamurit palestinez.

MARKETING