ISW publikon detaje të asaj që ndodhi para rrëzimit të aeroplanit, a u ‘vra’ Prigozhini për shkak të Afrikës?

ISW publikon detaje të asaj që ndodhi para rrëzimit të aeroplanit, a u ‘vra’ Prigozhini për shkak të Afrikës?

Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka të ngjarë të jetë duke fluturuar me aeroplan nga Afrika për shkak të përpjekjeve të ushtrisë ruse për të minuar aktivitetet e Wagner-it në rajon, thuhet në raportin e 23 gushtit të Institutit për Studimin e Luftës (ISW).
Burime të brendshme të njohura me shërbimet ruse të sigurisë, pohojnë se ka pasur një “përpjekje për të çaktivizuar plotësisht Wagner-in nga operimi në Afrikë”, thuhet ndër tjera nga ISW, transmeton Telegrafi.

Pas rebelimit të shkurtër të Prigozhin-it kundër autoriteteve ruse në qershor, grupi i Wagner e zhvendosi fokusin nga Ukraina në operacionet e tij në vendet afrikane.

Grupi mercenar është i lidhur me krimet e luftës në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali. Më 21 gusht, Prigozhin publikoi një video të rrallë nga ajo që ai pretendonte se ishte Afrika.
“Është e mundur që Prigozhin të ketë udhëtuar në Afrikë me shpresën për të siguruar misione të mëtejshme për Wagner, të pavarur nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Kremlini”, tha ISW.

Sipas burimeve të ISW, ushtria ruse kishte një plan për të zëvendësuar mercenarët e Wagner-it me një trupë prej 20,000 ushtarësh.
“Burimi shtoi se Prigozhin ishte thellësisht kundër atyre përpjekjeve dhe ‘bëri çdo përpjekje për t’i parandaluar ato’”, tha ISW.

Kreu i supozuar i këtyre operacioneve ishte gjeneral-lejtnant Andrey Averyanov, kreu i shërbimeve speciale ruse.

ISW tha se Averyanov ishte i lidhur me tentativa për vrasje, duke përfshirë helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.

Më 23 gusht, një aeroplan që supozohet se transportonte Prigozhin-in u rrëzua në rajonin Tsver të Rusisë, ku si pasojë humbën jetë të gjithë në bord.

ISW tha se “paniku dhe impulsiviteti” i shfaqur nga Prigozhin gjatë largimit nga Afrika mund ta ketë bërë atë të pambrojtur ndaj kundërshtarëve politikë. /Telegrafi/

MARKETING