Ishulli skocez shpall bojkot ndaj Izraelit për shkak të krizës në Gaza

Ishulli skocez shpall bojkot ndaj Izraelit për shkak të krizës në Gaza

Një ishull i largët skocez ka shpallur një bojkot të plotë ndaj Izraelit në shenjë proteste për gjenocidin ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Ishulli Eigg, i vendosur në bregun perëndimor të Skocisë dhe që strehon një komunitet prej rreth 120 banorësh, ka shpallur mbështetje për lëvizjen Bojkot, Izolim dhe Sanksione (BDS), një fushatë globale e udhëhequr nga palestinezët që synon t’i japë fund mbështetjes ndërkombëtare për politikat e Izraelit ndaj popullit palestinez.

Sipas gazetës skoceze The National, vendimi është marrë në mënyrë unanime nga Shoqata e Banorëve të Ishullit Eigg (IERA), e cila përfaqëson të gjithë banorët e ishullit, i cili është në pronësi të komunitetit.

“Kjo vendimmarrje, e miratuar njëzëri në një mbledhje javën e kaluar, është ndërmarrë për të qëndruar në solidaritet me popullin e Palestinës dhe për të ngritur ndërgjegjësimin mbi bashkëpunimin e këtyre kompanive në gjenocid”, tha IERA-ja.

Dyqani i vetëm i ishullit do të ndalojë shitjen e produkteve të prodhuara nga kompani izraelite dhe nga kompani të tjera që akuzohen se mbështesin veprimet e Izraelit.

Kjo përfshin edhe marka të njohura si Coca-Cola, e cila sipas IERA-së ka lidhje me vendbanime izraelite të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Kjo veprimtari ka të bëjë me solidaritetin, edukimin dhe kontributin ndaj një lëvizjeje globale që ka arritur të ushtrojë presion ndaj bizneseve për të ndërprerë lidhjet ekonomike me shtetin aparteid të Izraelit dhe për të ndalur bashkëpunimin në krime lufte dhe operacione në territoret e pushtuara”, thuhet më tej.

Banorët theksuan se ky veprim nuk ka për qëllim të kontrollojë zgjedhjet personale apo të krijojë përçarje brenda komunitetit.

IERA tha se është frymëzuar nga një nismë e ngjashme në lagjen Govanhill në Glasgow, ku komuniteti atje së fundmi është zotuar të bëhet një “zonë e lirë nga aparteidi.”

“Ftojmë të tjerët të reflektojnë, të mësojnë dhe të eksplorojnë mënyrat se si komunitetet e tyre mund të ndërmarrin hapa domethënës drejt drejtësisë dhe solidaritetit”, theksoi IERA.

MARKETING