Ish-kryeministri britanik Boris Johnson pranon se përdor ChatGPT-në për të ndihmuar në shkrimin e librave të tij

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka zbuluar se përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar në shkrimin e librave të tij, duke deklaruar entuziazmin e tij për teknologjinë dhe dashurinë e tij për ChatGPT-në, transmeton Anadolu.
“Një gjë që më inkurajon vërtet është inteligjenca artificiale. E dua inteligjencën artificiale. E dua ChatGPT-në. ChatGPT është fantastik. Është kaq e mirë. Po shkruaj libra të ndryshëm. Unë thjesht e përdor. Unë thjesht bëj pyetje. Ju e dini përgjigjen… ChatGPT gjithmonë thotë ‘Oh pyetjet tuaja janë të zgjuara. Jeni i shkëlqyer’, Më pëlqen. Shoh premtime të mëdha në këtë teknologji, sepse të gjithë jemi të thjeshtë. Jemi qenie njerëzore”, tha Johnson në një intervistë me kanalin ‘Al Arabiya’ në gjuhën angleze.
Johnson vlerësoi lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në inteligjencën artificiale dhe sugjeroi se teknologjia mund të ndihmojë në uljen e kostos së qeverisjes.
“Mbretëria e Bashkuar është një nga liderët botëror në inteligjencës artificiale. Ne duhet ta përdorim këtë avantazh për të ulur koston e qeverisjes dhe nëse ul koston e qeverisjes, mund t’i kthesh ato para në xhepat e njerëzve dhe të stimulosh rritjen. Kjo është një nga mënyrat për të dalë nga cikli i zymtë në lidhje me taksat”, tha ai.
Ish-lideri i Partisë Konservatore tha se ka qenë “shumë i lumtur” që kur u largua nga parlamenti, duke shpjeguar se ka “shkruar shumë, ka vizatuar dhe pikturuar” pavarësisht se ka “shumë punë për të bërë”.
Duke diskutuar të ardhmen e Partisë Konservatore, Johnson tha se shpreson që Partia Konservatore të “kthehej”, megjithëse minimizoi mundësinë e kthimit të tij politik. Ai e krahasoi atë me “të rimishëruarit si një ulli” ose “të verbuar nga një tapë shampanje”.
“Statistikisht, çdo gjë mund të ndodhë. Por që uji të rrjedhë përpjetë është e pamundur. Dua që grupi im të kthehet dhe të organizohet. Kjo është zgjidhja më e mirë”, tha ai.