Irani: Propozimi iranian me 10 pika është pranuar si bazë për bisedime
MARKETING
Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, ka deklaruar se korniza me 10 pika i propozuar nga Teherani është pranuar si bazë për negociatat e ardhshme, si dhe ka përsëritur se Irani nuk do të mbështesë një armëpushim pa garanci kundër një agresioni të ri, transmeton Anadolu.
MARKETING
Duke folur në një takim ku morën pjesë ambasadorë të huaj, krerë të misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Teheran, sipas transmetuesit shtetëror të Iranit, zv/ministri Takht-Ravanchi tha se Irani vazhdon të mbështesë diplomacinë dhe dialogun, por jo në kushte të bazuara në informacione të gabuara ose që synojnë të mundësojnë veprime të mëtejshme ushtarake.
“Irani gjithmonë ka mirëpritur diplomacinë dhe dialogun”, tha ai, duke shtuar se negociatat nuk duhet të përdoren si pretekst për mashtrim apo për të përgatitur terrenin për një agresion të ri.
Ai përsëriti kundërshtimin e Teheranit ndaj një armëpushimi që do t’i lejonte, sipas tij, agresorit të rigrupohej dhe të ndërmerrte sulme të tjera.
“Nuk duam një armëpushim që i mundëson armikut të riarmatoset dhe të kryejë sërish agresion”, tha ai, duke shtuar se një situatë e tillë nuk do të pranohej pa garanci kundër përsëritjes.
Takht-Ravanchi gjithashtu tha se qasja e Iranit ndaj vendeve fqinje bazohet në politikën e fqinjësisë së mirë, duke theksuar se veprimet e Iranit nuk duhet të interpretohen si sulme ndaj tyre.
Ai tha se operacionet e Iranit kanë qenë të natyrës mbrojtëse dhe kanë synuar bazat dhe objektet amerikane të vendosura në ato vende që janë përdorur në operacione ushtarake kundër Iranit.
Korniza e propozuar me 10 pika, sipas zyrtarëve iranianë, përfshin garanci për mos agresion ndaj Iranit; kontrollin e vazhdueshëm iranian mbi Ngushticën e Hormuzit; njohjen e të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit; heqjen e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare të SHBA-së; përfundimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Iranit; përfundimin e rezolutave të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike; pagesën e kompensimit ndaj Iranit; tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni; dhe përfundimin e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga 28 shkurti, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që synuan Izraelin si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane. Irani gjithashtu kufizoi lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Të martën, SHBA-ja dhe Irani njoftuan një armëpushim dyjavor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si një hap drejt një marrëveshjeje më të gjerë për ndalimin e konfliktit që ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Presidenti amerika,n Donald Trump, tha se armëpushimi erdhi pas asaj që ai e përshkroi si një propozim “të zbatueshëm” me 10 pika të paraqitur nga Irani, ndërsa negociatat pritet të përcaktojnë nëse mund të arrihet një marrëveshje afatgjatë.

