Irani paralajmëron OKB-në se do të përgjigjet “me vendosmëri” nëse SHBA ndërmerr agresion ushtarak

Irani paralajmëron OKB-në se do të përgjigjet “me vendosmëri” nëse SHBA ndërmerr agresion ushtarak

Misioni i përhershëm i Iranit në OKB, sipas një letre të siguruar nga Anadolu, ka paralajmëruar se Irani do të përgjigjet me “vendosmëri dhe proporcionalisht” ndaj çdo agresioni ushtarak, duke theksuar se SHBA-ja do të mbajë “përgjegjësi të plotë dhe të drejtpërdrejtë” për pasojat.

“Republika Islamike e Iranit ka deklaruar vazhdimisht në nivelin më të lartë se nuk kërkon tension apo luftë dhe nuk do të nisë asnjë luftë”, thuhet në letrën drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe presidencës së Këshillit të Sigurimit.

“Megjithatë, në rast se i nënshtrohet agresionit ushtarak, Irani do të përgjigjet me vendosmëri dhe proporcionalisht, në ushtrim të së drejtës së tij të natyrshme për vetëmbrojtje sipas Nenit 51 të Kartës së OKB-së”, shtohet më tej.

Misioni paralajmëroi se “të gjitha bazat, objektet dhe asetet e forcës armiqësore në rajon do të përbëjnë objektiva legjitime në kuadër të përgjigjes mbrojtëse të Irani”, duke theksuar se “SHBA do të mbajë përgjegjësi të plotë dhe të drejtpërdrejtë për çdo pasojë të paparashikueshme dhe të pakontrolluar”.

Letra i referohet një postimi në rrjetet sociale më 18 shkurt nga presidenti amerikan, Donald Trump, i përshkruar si “kërcënim i qartë publik për përdorimin e forcës” kundër Iranit, duke përmendur përdorimin e mundshëm të objekteve ushtarake në Diego Garcia dhe bazën RAF Fairford në Angli.

Duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga OKB-ja, letra thekson: “Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i Përgjithshëm duhet të veprojnë pa vonesë, para se të jetë tepër vonë”.

Irani i cilësoi kërcënimet amerikane si sinjal të “një rreziku real për agresion ushtarak, pasojat e të cilit do të ishin katastrofike për rajonin dhe do të përbënin një kërcënim të rëndë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Duke rikonfirmuar angazhimin për diplomaci, misioni iranian në OKB shprehu përkushtim të plotë ndaj “qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe zgjidhjeve diplomatike”, si dhe theksoi se ka marrë pjesë “në mënyrë konstruktive, serioze dhe me mirëbesim” në bisedimet bërthamore me qeverinë e SHBA-së.

MARKETING