Irani mohon se ka marrë propozim me shkrim nga SHBA-ja pasi Trump paralajmëroi për “diçka të keqe”

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk ka marrë asnjë propozim me shkrim nga SHBA-ja, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, transmeton Anadolu.
MARKETING
Araghchi në platformën sociale X tha se mesazhet se Irani dhe bota po marrin nga SHBA-ja janë “konfuze dhe kontradiktore”.
Komentet e tij vijnë vetëm disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se do të përballet me “diçka të keqe” nëse nuk pranon shpejt një propozim të SHBA-së në lidhje me programin bërthamor të Teheranit.
“Ata kanë një propozim, më e rëndësishmja, ata e dinë se duhet të veprojnë shpejt ose diçka e keqe do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One derisa po kthehej në Washington pas turneut të tij në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Trump nuk zbuloi detajet e propozimit, i cili vjen pas katër raundeve të negociatave indirekte bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së, të ndërmjetësuara nga Omani.
Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt në Muscat të dielën, gjatë të cilit, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, të dyja palët diskutuan “çështje të diskutueshme”.
Araghchi, i cili shërben gjithashtu si negociatori kryesor bërthamor i Iranit, tha se Teherani “mbetet i vendosur dhe i drejtpërdrejtë” në negociatat e tij me Washingtonin.
“Respektoni të drejtat tona dhe ndërprisni sanksionet tuaja dhe ne do të kemi një marrëveshje. Mbani mend fjalët e mia. Nuk ka skenar në të cilin Irani braktis të drejtën e tij të fituar me mund për pasurim për qëllime paqësore, një e drejtë që u jepet edhe të gjithë nënshkruesve të tjerë të NPT-së”, deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë iraniane tha se vendi i tij “gjithmonë e ka mirëpritur dialogun” bazuar në “respekt të ndërsjellë”, duke theksuar se Teherani ka “treguar fuqinë dhe guximin e tij përballë atyre që kanë tentuar imponimin”.
Gjatë udhëtimit të tij katër-ditor në Lindjen e Mesme, Trump theksoi se SHBA-ja po i “afrohet” një marrëveshjeje me Iranin, duke shkaktuar optimizëm derisa negociatat përparonin pavarësisht luftës së fjalëve midis dy palëve.
Sot, Irani dhe Trojka Evropiane (Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) zhvilluan bisedime në Stamboll mbi negociatat bërthamore të Iranit me SHBA-në, të cilat erdhën mes kërcënimeve nga evropianët se do të rivendosin sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Më herët, Araghchi ka paralajmëruar se një veprim i tillë nga Trojka Evropiane do të kishte pasoja “të pakthyeshme” që mund të rrezikonin “të provokojnë një krizë globale të shtimit bërthamor”.