Irani dhe vendet evropiane bien dakord të vazhdojnë konsultimet mbi programin bërthamor

Irani dhe vendet evropiane bien dakord të vazhdojnë konsultimet mbi programin bërthamor

Irani dhe vendet evropiane – Britania, Franca dhe Gjermanina – ranë dakord të vazhdojnë konsultimet pasi Teherani dhe këto vende, të njohura si E3, zhvilluan bisedime bërthamore më herët sot në Stamboll, transmeton Anadolu.

Duke i përshkruar bisedimet si “serioze, të sinqerta dhe të detajuara”, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha në X se janë diskutuar dhe shqyrtuar zhvillimet e fundit në lidhje me lehtësimin e sanksioneve dhe çështjen bërthamore.

“Ndërsa kritikuam seriozisht qëndrimet e tyre në lidhje me luftën e fundit të agresionit kundër popullit tonë, ne shpjeguam qëndrimet tona parimore, duke përfshirë edhe mekanizmin e ashtuquajtur të rivendosjes (së sanksioneve)”, deklaroi Gharibabadi.

Duke theksuar se të dyja palët iu bashkuan negociatave “me ide specifike, aspektet e ndryshme të të cilave u shqyrtuan”, ai shtoi se është rënë dakord që “konsultimet për këtë çështje të vazhdojnë”.

Më herët sot, delegacionet nga Irani dhe tri vendet evropiane përfunduan një raund të dytë bisedimesh bërthamore në Konsullatën e Përgjithshme të Iranit në Stamboll.

Grupi E3 u takua më parë me zyrtarë iranianë në Stamboll më 16 maj për bisedime në nivel zëvendësministri të jashtëm.

Si bisedimet SHBA-Iran, ashtu edhe procesi më i gjerë i negociatave me palët evropiane u ndërprenë pasi Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit më 13 qershor.

Irani ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime të reja me kërkesë të vendeve evropiane, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Marrëveshja, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), synon të kufizojë kapacitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve ndërkombëtare.

Edhe pse legalisht ende ekzistuese, marrëveshja bërthamore mbetet në masë të madhe jofunksionale që kur SHBA-ja vendosi të tërhiqet në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

MARKETING