Irani dënon fuqitë evropiane pas vendimit për rikthimin e sanksioneve, zotohet për përgjigje

Irani dënoi të enjten vendimin e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar (E3) për të aktivizuar të ashtuquajturin mekanizëm “snapback” për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Teheranit për shkak të programit të tij bërthamor, transmeton Anadolu.
“Përpjekja e E3-shit për të aktivizuar ‘snapback’-un është në kundërshtim me Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është ligjërisht e pavlefshme”, tha Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë të cituar nga televizioni shtetëror “Press TV”.
Ministria tha se fuqitë evropiane “nuk kanë të drejtë ligjore ose morale” për të përdorur mekanizmin sepse ato “shkelën detyrimet e tyre” sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi e ka quajtur veprimin evropian “të pajustifikuar, të paligjshëm dhe pa asnjë bazë ligjore”, duke thënë se Teherani do të “përgjigjet në mënyrë të përshtatshme” ndaj asaj që ai e sheh si përpjekje të paligjshme për të minuar të drejtat e Iranit sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Araghchi i ka kërkuar E3-shit të “korrigjojë gabimin e tyre” dhe paralajmëroi se ky veprim do të dëmtonte bashkëpunimin e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe do të gërryente më tej besueshmërinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
E3-shi sot aktivizoi mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit për shkak të mosmarrëveshjes mbi programin bërthamor të Teheranit.
“Si rezultat i veprimeve të Iranit dhe në përputhje me paragrafin 11 të Rezolutës 2231 (2015) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vendosur sot të njoftojnë Këshillin e Sigurimit se ne besojmë se Irani është në mospërmbushje të konsiderueshme të angazhimeve të tij sipas JCPoA-së (Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit), duke aktivizuar kështu mekanizmin e rivendosjes (së sanksioneve)”, thanë tri vendet në një deklaratë të përbashkët.
“Ky njoftim fillon procesin e rivendosjes të përcaktuar në Rezolutën 2231. Ai hap një periudhë 30-ditore para rivendosjes së mundshme të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbyllura më parë”, thuhet në deklaratë.
Marrëveshja bërthamore me Iranin kishte për qëllim të parandalonte Teheranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore. Dokumenti rregullon në mënyrë specifike verifikimin e pavarur të programit bërthamor të Iranit dhe vendos kufizime mbi sasinë dhe pasurimin e uraniumit.
Tensionet u përshkallëzuan kur Izraeli nisi një sulm të papritur ndaj Teheranit më 13 qershor, duke synuar objekte ushtarake, bërthamore dhe civile, si dhe komandantë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë. Irani u hakmor me sulme me raketa dhe dronë, ndërsa SHBA-ja bombardoi tri komplekse bërthamore iraniane. Konflikti 12-ditor përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja më 24 qershor.