Intervista e Nënpresidentes Harris për Fox News, shkëmbime të nxehta mbi emigracionin e çështje të tjera

Intervista e Nënpresidentes Harris për Fox News, shkëmbime të nxehta mbi emigracionin e çështje të tjera

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv “Fox News’ të mërkurën, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris u pyet mbi përpjekjet e administratës Biden për të trajtuar rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm në kufirin jugor të vendit. Ajo fajësoi republikanët për dështimin në miratimin e një projektligji për kufirin.

Në një intervistë me shkembime të nxehta me gazetarin e Fox News-it, Bret Baier, zonja Harris u pyet se çfarë mendonte mbi vendimin e hershëm të administratës (Biden) për të ndryshuar disa nga politikat kufizuese të rivalit republikan Donald Trump mbi emigracionin, si dhe t’i përgjigjej një nëne që foli në Kongres mbi humbjen e fëmijës së saj në duart e një emigranti të paligjshëm.

“Më vjen shumë keq për humbjen që ajo ka pësuar, por le të flasim për atë që po ndodh tani“, tha zonja Harris.

Kamala Harris tha se Donald Trump u kërkoi republikanëve të refuzonin një projektligj dypartiak mbi imigracionit sepse sikurse tha ajo “atij i pëlqejnë problemet në vend që t’i zgjidhë ato”.

Intervista ishte pjesë e një apeli të drejtpërdrejtë nga ana e zonjës Harris drejtuar votuesve republikanë teksa theksoi mbështetjen e republikanëve për fushatën e saj në një shtet fushëbeteje si Pensilvania përpara se të dilte për intervistën në Fox News, një rrjet me prirje konservatore.

Gjatë intervistës zonja Harris u pyet në lidhje me komentin e saj të bërë së fundmi se nuk do të ndryshonte “asgjë” në lidhje me ato çfarë ka bërë administrata Biden. Për ‘Fox News’ ajo tha se:

“Më lejoni të jem shumë e qartë, presidenca ime nuk do të jetë një vazhdim i presidencës së Joe Bidenit”, por pa dhënë më shumë detaje.

Më herët, në qarkun Bucks, në periferi të Filadelfias, zonja Harris foli mbi ato që i quajti përpjekje të zoti Trump për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje katër vjet më parë.

Zonja Harris tha se veprimet e zotit Trump shkelën Kushtetutën dhe siç tha ajo, nëse atij do t’i jepej mundësia, do ta shkelte atë përsëri.

“Ai refuzoi të pranonte vullnetin e popullit dhe rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai dërgoi një turmë të armatosur në Kapitol dhe ata sulmuan me dhunë oficerët e policisë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe kërcënuan jetën e nënpresidentit (të kabinetit) të tij”, tha zonja Harris.

Mbi 100 republikanë iu bashkuan zonjës Harris në qarkun Bucks, mes tyre Adam Kinzinger, një ish-ligjvënës dhe anëtar i komisionit që hetoi sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump.

“Pavarësisht se për kë keni votuar herën e fundit, ka një vend për ju në këtë fushatë“, tha zonja Harris.

Nënpresidentja udhëheq me 46% për qind krahasuar me 43 që është mbështetja për kandidatin republikan Donal Trump sipas një sondazhi të fundit të agjencisë ‘Reuters’.

Zonja Harris ka tentuar më parë të afrojë votuesit e zhgënjyer me zotin Trump. Në fillim të këtij muaji, ish-ligjvënësja republikane Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, u bëri thirrje amerikanëve të vendosin vendin mbi partinë e të votojnë për zonjën Harris, duke thënë se zoti Trump nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara.

Zonja Harris përsëriti të mërkurën zotimin e saj për të emëruar një republikan në kabinetin e saj, nëse zgjidhet./REL

MARKETING