Inspektorati Shtetëror i Tregut me 40 inspektorë të rinj në gjysmën e parë të vitit
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të ketë 40 inspektorë të rinj deri në mesin e këtij viti, njoftoi Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi. Ai thotë se ky personel kanë ndjekur trajnime për t’u bërë inspektorë që nga viti i kaluar dhe se kjo do të zgjasë deri në mesin e këtij viti. Pas kësaj, shton ai, këta inspektorë do të jenë pjesë e ISHT-së dhe do të monitorohen për të parë se si po shkojnë gjërat pas forcimit të Inspektoratit.
Durmishi thotë se nevojiten inspektorë në terren për të kontrolluar të gjitha shoqëritë tregtare në mënyrë që të përcaktohet se kush nuk po i përmbahet ligjeve.
Sipas tij, tani ka rreth 80 inspektorë në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe rreth 120 në Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
“Edhe në kohën kur këto dy inspektorate, me ndryshimet në ligj, humbën të drejtën për të qenë person juridik dhe u bënë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, unë e informova Qeverinë me kërkesë që të ketë më shumë inspektorë, veçanërisht në Inspektoratin e Tregut, sepse ata mbulojnë të gjithë tregun e brendshëm. Duhet të ketë më shumë inspektorë në këtë Inspektorat në mënyrë që ata të mund ta bëjnë punën e tyre me llogaridhënie dhe që të kemi kontroll më të madh mbi të gjithë tregun e brendshëm dhe mbi të gjithë ata që nuk i respektojnë ligjet”, shtoi Durmishi.

