Importi i naftës ruse nga Kina, më i larti që nga fillimi i luftës në Ukrainë
Sipas të dhënave doganore të Pekinit të publikuara të martën, muajin e kaluar importi i naftës ruse nga Kina arriti nivelin më të lartë që nga agresioni i Moskës kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022 .
Shifrat tregojnë se pothuajse janë dyfishuar importet e naftës ruse nga Kina që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Të dhënat janë në përputhje me shifrat tregtare të publikuara këtë muaj, që tregojnë se tregtia e Kinës me Rusinë u rrit në nivele të papara që nga shkurti i vitit 2022.
Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë. Sipas të dhënave doganore të Pekinit, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën një rekord prej 190 miliardë dollarësh vitin e kaluar.
Gjatë një takimi në muajin mars, Presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin u zotuan të rrisin tregtinë në 200 miliardë dollarë në vitin 2023, ndërsa përshëndetën partneritetin e tyre “pa kufij”. Dërgesat energjitike ruse drejt Kinës pritet të rriten me 40% këtë vit, tha muajin e kaluar Zëvendëskryeministri Alexander Novak.
Pekini thotë se është palë neutrale në luftën e Ukrainës, por është kritikuar nga vendet perëndimore për refuzimin për të dënuar Moskën dhe për partneritetin e saj të ngushtë strategjik me Rusinë./VOA